
Avokati Mirash Martini, i ftuar në emisionin “Studio24”, ka komentuar çështjen në Gjykatën Kushtetuese lidhur me pezullimin nga detyrat si zv/kryeministre dhe ministre të Belinda Ballukut, një vendim i marrë nga GJKKO pasi ajo u mor zyrtarisht e pandehur nga SPAK.
Martini u ndal te një qëndrim i mëparshëm i Gjykatës Kushtetuese mbi imunitetin e deputetëve, duke theksuar se ky organ ka shprehur qartë, veçanërisht në vitin 2023, se Kushtetuta mbron deputetët vetëm në rastet e heqjes së lirisë.
“Sipas asaj që Gjykata Kushtetuese ka thënë, kjo është mbrojtja kushtetuese. Nuk mendoj se mund të dilet me një konkluzion të ndryshëm për të pretenduar se ekziston një mbrojtje tjetër,” u shpreh Martini. Ai shtoi se nëse gjyqtarët e Kushtetueses do të vlerësonin se Balluku nuk gëzon mbrojtje të veçantë kushtetuese në këtë fazë, një qëndrim i tillë do të ishte i rëndësishëm për koherencën e linjës së ndjekur deri më tani.
Avokati kujtoi se deri në vitin 2012, një deputet nuk mund të merrej i pandehur, të pyetej apo të ndiqej penalisht pa autorizimin e Kuvendit. Ndërkohë, me ndryshimet e asaj kohe, imuniteti u reduktua duke e kufizuar vetëm në rastet e arrestimit, heqjes së lirisë apo kontrolleve personale dhe të banesës, të cilat kërkojnë miratimin e Kuvendit. “Hetimet, megjithatë, mund të zhvillohen pa pengesë,” theksoi ai.
and then