
Në “San Siro”, Inter argëtohet në Kupë, me zikaltërit që triumfuan 5-1 përballë Venezia-s, një ndeshje pa shumë histori, e zhvilluar në një drejtim. Kjo ishte një natë perfekte për trajnerin Chivu, në një kohë kur rotacioni i kryer pati efekte pozitive.
18 minuta lojë i mjaftuan për të zhbllokuar sfidën, me Diouf që hapi siparin e golave. Dy minuta më vonë ishte Pio Esposito që dyfishoi shifrat me një goditje shumë të bukur nga distanca. Pas Serie A dhe Champions, sulmuesi “azzurr” gjeti edhe golin e parë në Kupë. Stafetën më pas e mori Thuram, me “bomberin” francez që realizoi një gol shumë të bukur në minutën e 34-ët, një goditje perfekte nga distanca që u ndal në rrjetë.
Inter vijoi me spektakël në “San Siro” edhe në fraksionin e dytë, ku sërish Thuram, këtë herë me një goditje me kokë që kompletoi “dopietën” personale dhe golin e katërt për Inter. Venezia e kishte të vështirë të reagonte, por të paktën gjetën golin e nderit në minutën e 66-të. Për t’i bërë një mbyllje të bukur këtij takimi mendoi Bonny, me sulmuesin francez që realizoi një gol fantastik në minutën e 76-të. Inter “fluturon” me spektakël në fazën çerekfinale aty ku do të përballet me fituesin e çiftit Roma-Torino.
Më shumë se sa ky sukses, pasi përballë Venezia-s fitorja ishte detyrim, trajneri Chivu i gëzohet formës së disa lojtarëve të rinj: “Më pëlqeu sjellja dhe respekti që treguam për rivalin. Ky është një grup i motivuar që kërkon vazhdimësi. Jam i lumtur për ata që luajtën për herë të parë në San Siro, për lojtarët e ardhur nga sektori i të rinjve, por edhe për Diouf. Kishte shumë gjëra të bukura këtë mbrëmje”, u shpreh Chivu.
and then