
Zbardhet dëshmia e Xhemal Licit, kambisti që ra pre e grabitjes nga Nuredin Dumani, sot i penduar i drejtësisë.
Gazetarja Klodiana Lala raporton se Lici rrëfeu sot para togave të zeza detajet e ngjarjes. Ai tha se mëngjesin e ngjarjes, rreth orës 6:30, po dilte nga shtëpia në lagjen Kala në Elbasan kur u grabit.
“Dola, nuk mendoja se do më qëllonin. Futa lekët në makinë. Kisha 12 milionë të reja me vete, i kisha në një çantë. I lashë lekët në bagazh dhe u ktheva të mbyll derën e shtëpisë,” rrëfeu Lici.
Ai tregoi se pas pak, katër persona i dolën përpara dhe njëri nga ta e qëlloi dy herë në gjoks dhe dy herë në këmbë. Mes të tjerash ai rrëfeu se pas ngjarjes, disa herë, Bujar Çela, vëllai i Talo Çelës, shkonte në dyqan dhe e pyeste nëse kishte mësuar identitetin e personave që e kishin sulmuar. “Ai punonte taksixhi në të zezë, thyente ndonjë 20-30 euro. Kur nuk kishte njerëz aty, pyeste. I thashë, ‘ty nuk të vjen keq për mua? Duket sikur ke mizë në kockë. Ke ardhur deri këtu, mos të të shoh më në dyqan.’”, u shpreh Çela.
Lici deklaroi se nuk e njihte personalisht Talo Çelën, por e kishte parë më parë në televizor. “Një vit para ngjarjes së Dumani, e pashë Talo Çelën në një intervistë në televizion dhe e njoha nga përmasat e trupit si një nga personat që më goditi gjatë ngjarjes. Ai ka qenë pas Dumanit gjatë grabitjes,” tha dëshmitari.
and then