
Pas humbjes së rëndë kundër Atleticos në Madrid, por suksesit të thellë në kampionat ndaj Comos. Interi rikthehet nesër mbrëma në Champions League përballë Liverpool-it, në një “San Siro”, që do të jetë plotësisht i ezauruar. Zikaltërit kërkojnë të sigurojnë sa më shpejt kualifikimin për në 1/8-at, ndërsa kundërshtari mbërrin në krizë të thellë, me tensione të brendshme dhe trajnerin Slot nën presion.
Interi vjen me një ecuri prej 18 ndeshjesh pa humbje në shtëpi në Champions (15 fitore, 3 barazime), por kujtimet me Liverpool-in nuk janë të mira: në shkurt të vitit 2022, Reds fituan 2-0 në këtë stadium.
Sfida ndaj anglezëve hap një seri tejet të rëndësishme për zikaltërit, që më pas do të përballen me Arsenalin në Milano dhe Borussia Dortmund në Gjermani, ndeshje që do të tregojnë realisht forcën e skuadrës së Chivut.
Në formacion, mbetet dilema për krahun e djathtë, ndërsa rikuperimi i Dumfries është ende i pasigurt. Akanji rrezikon mungesën për shkak të gripit; në rast se nuk ia del, Bisseck pritet të zëvendësojë atë, duke kompletuar mbrojtjen me Acerbin dhe Bastonin. Carlos Augusto duket i favorizuar ndaj Luis Henrique, ndërsa në mesfushë Mkhitaryan është gati të rikthehet titullar krah Barellës dhe Calhanoglus. Në sulm, megjithëse Bonny kërkon hapësirë, Chivu pritet t’i besojë sërish tandemit Thuram–Lautaro.
Kapiteni Lautaro Martinez vjen në superformë: ai ka shënuar në të gjitha pesë ndeshjet e Champions-it të luajtura në “San Siro” në vitin 2025 dhe kërkon të barazojë një rekord historik të Shevchenkos.
Interi kërkon reagimin, Liverpool-i kërkon ringritjen: gjithçka gati për një mbrëmje të madhe europe.
and then