Pengmarrje, manipulim tenderash dhe cenim i sigurisë! Lala zbulon detaje nga grupi kriminal brenda AKSHI-t: Kishin akses në lëvizjet bankare dhe…

Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në studion e News24, ka zbuluar detaje tronditëse lidhur me aksionin e SPAK kundër një grupi kriminal që dyshohet se ka vepruar brenda dhe rreth Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).

Sipas Lalës, skandali i zbuluar në AKSHI është ndër më të rëndët e viteve të fundit dhe pasojat e tij pritet të ndihen edhe më vonë. SPAK, në kuadër të një hetimi disa mujor për kontrabandë, ka sekuestruar celularët e Ergys Agasit. Gjatë kontrollit të tij personal janë zbuluar të dhëna që çuan në zbulimin e një pengmarrjeje të një biznesmeni që kishte fituar një procedurë tenderuese në AKSHI.

Gazetarja tha se Ergys Agasi, në bashkëpunim me Ermal Beqirin, katër kompanitë e të cilit kanë përfituar pjesën më të madhe të tenderave të AKSHI-t, dyshohet se ka urdhëruar pengmarrjen e biznesmenit Gerond Meçe. Ky i fundit është rrëmbyer nga persona të veshur me uniforma policie, është mbajtur peng për disa orë nën dhunë dhe më pas është dërguar drejt Elbasanit. Ende nuk dihet nëse autorët kanë qenë efektivë policie apo persona të tjerë që kanë përdorur uniforma policie.

Sipas Lalës, gjatë pengmarrjes Meçe është detyruar të tërheqë ankimimet nga disa procedura tenderuese të AKSHI-t, pasi për shkak të ankesave të tij ishin bllokuar miliona euro. Ai ka kontaktuar administratorin e kompanisë së tij për të tërhequr ankimimet dhe, pasi kjo është realizuar, është lënë i lirë në një fshat të thellë të Elbasanit, ku ka gjetur një taksi për t’u kthyer. Rasti nuk është denoncuar menjëherë, pasi biznesmeni është ndjerë i kërcënuar, ndërsa mësohet se ai ka informuar përfaqësi diplomatike dhe familjarë të tij kanë kërkuar azil jashtë vendit.

SPAK e ka thirrur më vonë për deklarime biznesmenin Mece, i cili fillimisht ka refuzuar të flasë për pengmarrjen. Vetëm pasi është përballur me pamjet filmike të ngjarjes, ai ka dhënë dëshminë përpara prokurorisë.

Deri tani, SPAK ka lëshuar tetë masa sigurie, ndërsa Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri janë shpallur në kërkim. Sipas Lalës, Agasi dyshohet se ka emëruar dhe financuar zyrtarë policie, madje ka pretendime se ka ndikuar edhe në emërimin e drejtorit të përgjithshëm të Policisë. Po ashtu, flitet se ai është ndihmuar të largohet jashtë vendit pa u regjistruar në sistemin TIMS.

Ndërkohë, drejtoresha e AKSHI-t dhe zëvendësdrejtoresha ndodhen në arrest shtëpie, ndërsa persona të tjerë në radhët e policisë janë pezulluar dhe u është ndaluar dalja jashtë vendit. Lala theksoi se kjo çështje përfaqëson vetëm “majën e ajsbergut”, pasi autorët e pengmarrjes ende nuk janë identifikuar dhe dyshohet se edhe biznesmenë të tjerë janë marrë peng, pa u bërë publikë rastet.

Gazetarja nënvizoi se grupe kriminale kanë funksionuar paralelisht me shtetin, duke tronditur rëndë institucionet shqiptare. Dy tendera të AKSHI-t kanë ngritur shqetësim edhe te përfaqësitë diplomatike në vend. Njëri lidhet me tenderin e thesarit, që ka të bëjë drejtpërdrejt me sigurinë kombëtare, pasi dyshohet se grupi kishte akses në të dhënat bankare dhe lëvizjet financiare të qytetarëve. Tenderi i dytë kishte të bënte me administrimin e dosjeve gjyqësore pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ).

“Gjykata do të duhet të provojë fajësinë e personave të përfshirë, por dyshimet janë se ky grup kishte në dorë çdo lëvizje, madje edhe informacionet për përgjime sapo prokuroria i kërkonte ato”, tha Lala, duke e cilësuar të gjithë çështjen si një histori që dëshmon rrënimin e institucioneve shqiptare.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×