Truku i Mercedesit tremb, Binoto: Avantazh i madh

Matia Binoto ka sqaruar disa pikëpyetje lidhur me fillimin e sezonit të ri të Formulës 1, si për diferencat e mundshme mes motorëve Mercedes dhe pjesës tjetër të grupeve, ashtu edhe për hapat që Audi F1, nën drejtimin e tij si CEO, mund të ndërmarrë në javët e para të kampionatit.

Gjatë prezantimit të modelit “R26”, makina e parë Audi në historinë e saj në Formula 1, inxhinieri zviceran nga Lozana, i cili e zhvilloi të gjithë karrierën e tij te Ferrari deri në ardhjen e Fred Vasër, foli hapur në konferencën për shtyp në Berlin. Fillimisht, Binoto theksoi se nuk është i sigurt nëse është e vërtetë që Mercedesi ka arritur një raport kompresioni 18:1, në vend të 16:1 që parashikon rregullorja e re.

“Unë mendoj se kjo është pjesë e betejës në Formula 1. Është pjesë e punës sonë. Nuk do të ishte normale të mos luftonim. Nuk e di nëse është e vërtetë apo jo”, pranoi ai. “Për momentin ka vetëm zëra se Mercedesi mund të ketë projektuar një motor me raport kompresioni më të lartë në kushte nxehtësie. Nuk më takon mua ta vërtetoj këtë dhe as ta di me siguri. Është çështje që i përket autoritetit publik dhe FIA do të vendosë. Rregullat janë të rëndësishme dhe zbatimi i tyre po ashtu, ndaj mund të mbështetemi vetëm te FIA”, shtoi ai, duke ia lënë vendimin organit rregullator.

NJË AVANTAZH I MADH

Ajo që Binoto nuk e fsheh është se, nëse këto dyshime rezultojnë të vërteta, do të sillnin një përmbysje të madhe të balancave të forcës. “Nëse është reale, atëherë flasim për një diferencë të ndjeshme në performancë dhe kohë për xhiro. Pa dyshim, kjo do të bënte diferencën në pistë”, deklaron ai. Nëse situata do të konfirmohej, qoftë pas garës së parë apo në vazhdim, Binoto nuk përjashton as veprime ligjore.

“Një protestë është e mundur nëse dihet saktësisht arsyeja”, tha 56- vjeçari në një takim me mediat ndërkombëtare. Garimi në epokën e re do të jetë shumë ndryshe, kryesisht për shkak të mënyrës së re të shpërndarjes së fuqisë elektrike. “Së pari, kemi një ‘MGU-K’ më të madh dhe më të fuqishëm, me rregullore të re nga 120 kW në 350 kW (480 kuaj fuqi). Për të shpërndarë më shumë fuqi, nevojitet më shumë energji. ‘MGU-H’ është hequr, ndërkohë që ishte një nga faktorët kryesorë për rikarikimin e baterive. Pa ‘MGU-H’, me më pak rikarikim, por me më shumë energji elektrike për t’u përdorur, duhet gjetur mënyra për të rikarikuar bateritë gjatë xhiros”, shpjegon Binoto.

“Menaxhimi i energjisë elektrike do të jetë vendimtar. Shpejtësia e makinës gjatë xhiros është krejtësisht ndryshe nga më parë: më e ngadaltë në kthesa dhe më e shpejtë në të drejta. Do të jetë një lloj tjetër gare”, shton ai. Megjithatë, Binoto tregon se përshtypjet e para janë pozitive.

“Kam qenë në Barcelonë për ditën tonë të testimit më 9 janar. E pashë makinën në pistë dhe, sinqerisht, është një përpjekje e madhe. Në të drejtën kryesore makina arrin shpejtësi shumë të larta”, zbulon ai. “Në përgjithësi, do të jetë një stil drejtimi ndryshe për pilotët: goma të ndryshme, nivel tjetër kapjeje, menaxhim tjetër energjie. Por do të përshtatemi shumë shpejt. Kjo është ndjesia ime dhe besoj se në fund do të jetë një format shumë i mirë. Tifozët do ta shijojnë. Mund të ketë disa probleme në fillim që duhen optimizuar, por kjo do të ndodhë”, thekson Binoto, i cili e mbyll duke hedhur poshtë frikën për një spektakël më të dobët: “Duke e parë makinën në pistë, ishte një makinë fantastike në garim. Zhurmë e fortë. Tingulli i motorit është përmirësuar dhe besoj se të gjithë do ta shijojmë edhe këtë aspekt të ri të Formulës 1”.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×