ALTAX: Shqipëria ka nevojë për rishpërndarje më të drejtë të barrës tatimore

ALTAX një qendër kërkimore dhe analitike për çështje fiskale dhe ekonomike në Shqipëri dhe rajon, ka publikuar raportin e 14 mbi Barrën Tatimore 2025 dhe Ditën e Lirisë Fiskale 2026 për vendet e Ballkanit Perëndimor, ku thekson se sfida kryesore nuk lidhet vetëm me nivelin e taksave, por me strukturën dhe drejtësinë e sistemit fiskal, i cili vijon të ushtrojë presion të pabalancuar mbi qytetarët dhe bizneset.

Për Shqipërinë, raporti vlerëson se barra tatimore mbetet në nivele mesatare në raport me rajonin, por shpërndarja e saj paraqet problematika. Sistemi mbështetet kryesisht te taksat mbi konsumin dhe kontributet shoqërore, duke krijuar një presion më të lartë mbi punën dhe konsumatorët.

Sipas analizës, kjo strukturë ndikon në mënyrën se si shpërndahet barra tatimore mes kategorive të ndryshme të tatimpaguesve dhe ka ndikim në formalizimin e ekonomisë dhe në barazinë sociale.

Raporti evidenton gjithashtu përqendrimin e të ardhurave tatimore, ku pjesa më e madhe e tyre gjenerohet nga Tirana dhe tatimpaguesit e mëdhenj, ndërsa rajonet e tjera mbeten më të varura nga transfertat buxhetore.

Në këtë kontekst, ALTAX rekomandon një paketë reformash që synojnë rritjen e efikasitetit, transparencës dhe drejtësisë në sistemin fiskal. Këto përfshijnë lehtësimin e barrës mbi punën dhe rishikimin e strukturës së TVSH-së.

Në përfundim, raporti thekson se përmirësimi i strukturës së taksimit është thelbësor për të mbështetur zhvillimin ekonomik, formalizimin dhe një shpërndarje më të balancuar të barrës tatimore në Shqipëri.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×