
Ka nisur në gjykatë seanca e parë për një nga fraksionet e hetimit të koduar “Revanshi”, ku përballen disa të pandehur të akuzuar në këtë dosje të Prokurorisë së Posaçme.
Në proces janë thirrur Aldo Avdyli, Edson Jozwik, Henerigert Mitri, Marklen Haka, Altin Morina, Jozi Kraja, Durim Bami dhe Oltion Zefi. Në sallë ishte i pranishëm vetëm i pandehuri Jozi Kraja, i cili ka kërkuar vijimin e procesit me gjykim të shkurtuar.
Seanca është shoqëruar me mungesa të shumta. Aldo Avdyli ka deklaruar se do të përfaqësohet nga avokati Dritan Jahja, i cili nuk ishte i pranishëm. Edhe Oltion Zefi mungonte, njësoj si avokati i tij Elis Bilali.
Sakaq, Henerigert Mitri nuk mori pjesë në seancë, por u përfaqësua nga avokati Ardian Leka. Ndërkohë, Marklen Haka mungonte, ndërsa avokati i tij Erjon Kullolli ishte i pranishëm. Po ashtu, Altin Morina nuk u paraqit në gjykatë, duke munguar edhe mbrojtësi i tij për arsye shëndetësore.
Edhe Durim Bami nuk ishte i pranishëm, por u përfaqësua nga avokati Ilir Murati, i cili gjithashtu mbështeti kërkesën për gjykim të shkurtuar. Në cilësinë e viktimës së veprës penale ishte thirrur Gjergj Mihasi, babai i Erigers Mihasit, i cili kërkoi të mos marrë më pjesë në seanca për shkak të gjendjes shëndetësore, duke deklaruar se i beson vendimit të gjykatës.
Nga ana e tij, Prokuroria e Posaçme (SPAK) kërkoi shtyrjen e seancës, duke argumentuar se mungesa e të pandehurve dhe mbrojtësve të tyre e bën të pamundur vijimin normal të procesit. SPAK kërkoi gjithashtu pezullimin e afateve të paraburgimit, duke theksuar se janë ezauruar rrugët ligjore të njoftimit të palëve dhe se të gjitha palët duhet të konsiderohen të njoftuara.
and then