
Zbardhet dëshmia e Afrim Tolës në seancën gjyqësore të dosjes “Partizani”, ku i pandehur është edhe ish-kryeministri Sali Berisha. Tola deklaroi para gjykatës se në periudhën 2006-2008 ka drejtuar klubin shumë-sportësh “Partizani”, duke theksuar se institucioni kishte fonde të kufizuara dhe shumë sportistë nuk paguheshin nga shteti.
“Sporte kishte pafund, në të gjitha kategoritë. Fondi ka qenë shumë i vogël dhe vetëm sportistët elitarë paguheshin. Për pjesën tjetër mundoheshim të gjenim mundësi financimi,” u shpreh ai. I pyetur nga përfaqësuesit e SPAK për procedurat e privatizimit, Tola tha se kishte qenë pjesë e grupit të punës të ngritur nga ministria për evidentimin dhe vlerësimin e aseteve të klubit.
“Kemi qenë grup pune për të treguar asetet dhe për të bërë vlerësimin. Nuk më ka kontaktuar njeri gjatë kohës që kam qenë drejtor,” deklaroi ai. Ndërkohë, avokati Klodian Skenderaj e pyeti nëse mbante mend të kishte firmosur dokumente që lidhen me privatizimin. “Kanë kaluar shumë vite, nuk e mbaj mend,” tha dëshmitari, ndërsa më pas pranoi se kishte qenë pjesë e komisionit të inventarizimit.
Tola përshkroi gjithashtu gjendjen e rënduar të ambienteve të kompleksit sportiv. “Përveç pjesëve që u munduam t’i rregullonim vetë, pjesa tjetër ishte e amortizuar, nuk kishte as dyer. Kishte edhe familje që i kishin zënë ambientet,” deklaroi ai. Sipas dëshmisë së tij, vlerësimi i inventarit në vitin 2006 kishte qenë rreth 20 milionë lekë.
Gjatë pyetjeve nga Jamarbër Malltezi, Tola pranoi se kishte pasur objekte të zëna forcërisht, por tha se nuk mbante mend një shkresë të vitit 2003 që fliste për problemet me inventarizimin. Në fund të dëshmisë, ai deklaroi se nuk kishte pasur kontakte me biznesmenin Fatmir Bektashi gjatë kohës që drejtonte klubin. “Emrin e kam dëgjuar, por nuk mbaj mend ta kem takuar,” tha Tola para trupës gjykuese.
and then