
Një tjetër përplasje institucionale është regjistruar mes kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, lidhur me statusin e prokurorit Ols Dado.
Në një kërkesë zyrtare drejtuar anëtarëve të KLP-së, Veliaj pretendon se kërkesa e tij për konstatimin e pavlefshmërisë absolute të dekretit të emërimit të Ols Dados nuk është shqyrtuar nga organi kolegjial kushtetues, por vetëm nga nënkryetari i institucionit, Erind Gërmenji.
Në dokument thuhet se gjatë gjykimit në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë është konstatuar se nuk ekziston një vendimmarrje kolegjiale e KLP-së për këtë çështje.
Sipas kërkesës, shkresa nr. 413/3 prot., datë 11.03.2025, e firmosur nga Erind Gërmenji, ku thuhet se “KLP shqyrtoi kërkesën”, nuk përputhet me realitetin procedural.
Veliaj pretendon se në praktikë kërkesa është trajtuar personalisht nga nënkryetari i KLP-së dhe jo nga vetë institucioni si organ kolegjial, siç parashikon ligji.
“Rezulton se përmbajtja e shkresës nuk i korrespondon realitetit procedural të trajtimit të kësaj kërkese”, thuhet në dokument.
Në kërkesë argumentohet se neni 66 i ligjit “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve” ia njeh vetëm Këshillit të Lartë të Prokurorisë kompetencën për vendimmarrje mbi përfundimin e statusit të një magjistrati.
Për këtë arsye, Veliaj pretendon se shkresa e firmosur nga Gërmenji është një “akt nul”, pasi mungon një vendim kolegjial i KLP-së.
Kryebashkiaku i Tiranës ngre gjithashtu pikëpyetje edhe për përfaqësimin e KLP-së në gjykim nga përfaqësuesja ligjore e institucionit, duke pretenduar se ajo është paraqitur pa një mandat të miratuar nga organi kolegjial.
Në fund të kërkesës, Veliaj u kërkon anëtarëve të KLP-së të informojnë nëse kanë qenë në dijeni që nënkryetari Erind Gërmenji “ka marrë personalisht në shqyrtim dhe ka vendosur lidhur me përfundimin e statusit të magjistratit të Ols Dados”.
and then