
Partizani ka nisur të mendojë për lëvizjet që do të bëjë në merkaton e verës, teksa drejtuesit e klubit synojnë që sezoni i ardhshëm të jetë shumë ndryshe nga ai që sapo u mbyll. Pas një kampionati me shumë ulje-ngritje dhe me ekipin që mbeti jashtë “Final Four”, në ambientin e kuq ekziston bindja se skuadra ka nevojë për ndërhyrje të rëndësishme, por pa bërë revolucion në organikë.
Fillimisht, prioriteti i klubit do të jetë ruajtja e pjesës më të madhe të lojtarëve që konsiderohen si boshti i skuadrës dhe që kanë peshë në grupin aktual. Drejtuesit besojnë se Partizani ka një bazë të mirë dhe se me disa afrime cilësore ekipi mund të rikthehet sërish pretendent për titullin kampion dhe për pjesëmarrjen në Kupat e Europës. Megjithatë, largimet nuk përjashtohen, pasi disa futbollistë janë në fund të kontratës dhe po shqyrtojnë mundësinë për të vazhduar karrierën jashtë vendit. Po ashtu, për disa prej lojtarëve kryesorë pritet të mbërrijnë oferta të rëndësishme ekonomike dhe në klub janë të vetëdijshëm se do të jetë e vështirë të refuzohen në rast se shumat do të jenë të leverdishme për Partizanin.
Një nga repartet ku priten ndërhyrjet më të rëndësishme është mbrojtja. Gjatë sezonit të fundit, të kuqtë hasën shumë probleme në repartin difensiv dhe pësuan gola që në fund ndikuan drejtpërdrejt në objektivat e ekipit. Pikërisht për këtë arsye, drejtuesit kanë nisur punën për të afruar një qendërmbrojtës të ri, i cili pritet të ketë karakteristika të përshtatshme për stilin e lojës që kërkohet të ndërtohet te Partizani. Në klub kërkojnë një mbrojtës që di të luajë mirë me topin në këmbë, që ka qetësi në ndërtimin e aksioneve nga prapavija dhe që mund të ndihmojë skuadrën në organizimin e lojës që nga reparti difensiv.
Alternativat janë të shumta dhe drejtuesit kanë nisur prej kohësh sondazhet e para për lojtarët që mund të afrohen gjatë merkatos së verës. Dy nga emrat që po ndiqen aktivizohen aktualisht në kampionatin shqiptar, ndërsa në tavolinën e klubit ndodhen edhe disa profi le nga jashtë vendit. Për momentin nuk ka ende negociata konkrete, por drejtuesit po mbledhin informacionet e nevojshme për të qenë gati në momentin që merkato të hapet zyrtarisht. Në ambientin e Partizanit ekziston bindja se ekipi duhet të jetë më i balancuar në sezonin e ardhshëm dhe të ketë më shumë konkurrencë në çdo repart të fushës.
Një tjetër objektiv i drejtuesve është që organika të mos jetë aq e mbingarkuar sa në sezonin e fundit, kur skuadra kishte më shumë se 30 lojtarë dhe në disa raste menaxhimi i grupit u bë i vështirë. Për këtë arsye, synimi është që ekipi të ketë një grup më të konsoliduar, me më pak diferenca mes titullarëve dhe lojtarëve të stolit. Ndërkohë, Partizani do të vazhdojë procesin stërvitor deri më 31 maj dhe vetëm pas kësaj date skuadra do të shpërndahet për pushimet verore, të cilat do të zgjasin rreth dy javë. Gjatë kësaj periudhe drejtuesit synojnë të mbyllin sa më shpejt çështjet kryesore që lidhen me ndërtimin e skuadrës së re.
Përveç merkatos së lojtarëve, prioritet mbetet edhe emërimi i trajnerit të ri, i cili pritet të ketë rol të rëndësishëm në përzgjedhjen e futbollistëve që do të afrohen. Në klub kërkojnë që trajneri dhe skuadra të nisin përgatitjet për sezonin e ri me grupin sa më të plotë, në mënyrë që ekipi të ketë kohën e nevojshme për të punuar qetësisht dhe për të ndërtuar identitetin e tij. Te Partizani shpresojnë që vendimet që do të merren gjatë kësaj vere të krijojnë bazat për një sezon shumë më konkurrues dhe për rikthimin e skuadrës në nivelet që kërkon historia e klubit.
and then