
Seanca gjyqësore ndaj ish-presidentit Ilir Meta dhe ish-deputetes Monika Kryemadhi vijoi këtë të enjte me leximin e kërkesës për gjykim nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Gazetarja Klodiana Lala raporton se gjatë paraqitjes së provave, prokurori Sotir Kllapi deklaroi se nga verifikimi i llogarive bankare të Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI) ka rezultuar se, nga rreth 416 mijë dollarë të raportuara nga kompania lobuese GSIS, vetë LSI ka paguar 93 mijë dollarë.
Sipas prokurorit, hetimet janë përqendruar edhe te shërbimet që kompania GSIS ka ofruar për LSI-në. Ai tha se kompania ka deklaruar se në periudha të ndryshme ka organizuar takime për Ilir Metën me zyrtarë të Departamentit të Drejtësisë dhe institucioneve të tjera amerikane, përfshirë sektorin e bujqësisë.
Kllapi shtoi se janë konstatuar pagesa të kryera edhe përtej afatit tremujor të parashikuar në kontratë dhe se kompania kishte dërguar disa persona në Shqipëri në kuadër të angazhimeve të saj, për aktivitetin e të cilëve janë kryer verifikime nga organi i akuzës.
Sipas SPAK-ut, përveç takimeve zyrtare, gjatë vizitave të tij në Shtetet e Bashkuara, Ilir Meta ka zhvilluar edhe takime të tjera që, sipas prokurorisë, lidhen me shërbimet e ofruara përtej periudhës kontraktuale.
Seanca u shoqërua edhe me tensione. Ilir Meta reagoi ndaj kryesuesit të trupit gjykues, gjyqtarit Erion Bani, pasi nuk iu dha fjala gjatë relatimit të prokurorit.
“Jeni ekstremisht i njëanshëm”, iu drejtua Meta gjyqtarit. Nga ana e tij, Bani i tha se nëse kishte kërkesë për përjashtimin e trupit gjykues, mund ta paraqiste sipas procedurës.
Në vijim të debatit, Meta ironizoi duke deklaruar: “Jeni shumë të mirë. Më e mira prej jush është Irena Gjoka.”
and then