
Në seancën e fundit gjyqësore të zhvilluar në Gjykatën e Posaçme, ka dëshmuar Aleksandër Dodani, i thirrur në cilësinë e personit që ka dijeni për çështjen në ngarkim të kryetarit të Bashkisë së Vaut të Dejës, Kristjan Shkreli.
Përpara trupit gjykues, Dodani ka konfirmuar dëshminë e dhënë më herët në prokurori, ndërsa është pyetur mbi kontaktet me kryebashkiakun Shkreli gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve të fundit.
Dëshmia e plotë në sallën e gjyqit:
SPAK: Jeni në dijeni për një investim për një linjë elektrike në shërbim të banorëve?
Dëshmitari Aleksandër Dodani: Jo.
SPAK: A e njihni Kristjan Shkrelin?
Dëshmitari: Jemi të zonës. Është kryetar i Bashkisë së Vaut të Dejës.
SPAK: Në zgjedhjet elektorale të vitit të kaluar, a keni pasur kontakt për zgjedhjet?
Dëshmitari: Unë s’kam pasur kontakt. Më ka marrë në telefon. Kam një mik timin aty në Araç, zona jonë është e ndarë PS-PD. Miku im është i djathtë, unë jam i majtë. Kristjan Shkreli më ka marrë në telefon. Unë mikut tim (krushkut) i kam thënë të votojë për PS, por ai është demokrat.
Më pas, dëshmitari u pyet nga pala mbrojtëse e kryebashkiakut Shkreli nëse ka pasur tentativa për blerje vote apo presione:
Avokati: Ju kërkoi votën kundrejt ndonjë përfitimi?
Dëshmitari: Jo.
Avokati: Kristjani ju ka bërë ndonjë presion?
Dëshmitari: Absolutisht jo.
Pas përfundimit të dëshmisë, Prokuroria e Posaçme ka kërkuar shtyrjen e seancës me qëllim paraqitjen e provave të tjera shkresore që lidhen me dosjen hetimore.
Kjo kërkesë u pranua nga Gjykata, e cila vendosi që seanca e radhës të zhvillohet më 14 korrik, në orën 14:00, ku pritet që palët të njihen me dokumentacionin e ri të prokurorisë.
and then