Senatorja paraguajane sulm ndaj Mbappe, pas ndeshjes Paraguai-Francë, Infantino i del në mbrojtje francezit: Komente raciste, e gjithë bota në krah të Mbappe

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka dënuar ashpër komentet raciste të bëra ndaj sulmuesit të Francës, Kylian Mbappé, nga senatorja paraguajane Celeste Amarilla, pas ndeshjes Francë–Paraguaj në Kupën e Botës.

Në një deklaratë zyrtare, Infantino shprehu solidaritetin e plotë me kapitenin e Francës dhe theksoi se futbolli duhet të mbetet një sport i bazuar në respekt dhe barazi.

“Unë dënoj pa asnjë mëdyshje komentet raciste të drejtuara ndaj Kylian Mbappé nga senatorja paraguajane Celeste Amarilla. E gjithë bota e futbollit dhe shoqëria qëndrojnë në krah të kapitenit të Francës. Ne duhet të luftojmë racizmin dhe ta mposhtim atë së bashku”, deklaroi presidenti i FIFA-s.

Ngjarja ndodhi pas fitores 1-0 të Francës ndaj Paraguajit në fazën e 1/16-ave të Kupës së Botës, kur senatorja Amarilla publikoi në rrjetet sociale komente me përmbajtje raciste dhe fyese ndaj Mbappé. Reagimi i saj u dënua menjëherë nga Federata Franceze e Futbollit, autoritetet franceze dhe qeveria e Paraguajit, e cila u distancua nga deklaratat, duke theksuar se ato nuk përfaqësojnë vlerat e vendit apo të popullit paraguajan.

Edhe vetë Mbappé reagoi publikisht, duke e cilësuar senatoren si “një grua të neveritshme dhe të padenjë për postin që mban”, ndërsa theksoi se racizmi nuk duhet të ketë vend as në futboll dhe as në shoqëri.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×