FORMULA 1/ Nga aksidenti i mekanikut te gafa në Instagram, prapaskenat e garës në Belgjikë

Fundjava e Formulës 1 në Belgjikë dhuroi shumë episode interesante përtej emocioneve në pistë. Nga vendime të diskutueshme të komisarëve të garës, te momente tensioni në bokse, gabime në rrjetet sociale dhe batuta gjatë konferencave për shtyp, “paddock”- u në Spa prodhoi disa momente që nuk kaluan pa u vënë re.

“LUMË” PENALIZIMESH Në Spa u dhanë disa dënime të ndryshme: Lando Norris dhe Lans Stroll morën nga 10 pozicione penalizim në nisje, Fernando Alonso u penalizua me 20 vende, ndërsa Isak Hadxhar me 30. Megjithatë, vendimet më të çuditshme prekën Esteban Okonin dhe Ferrarin. Piloti francez i skuadrës Haas u gjobit me 5000 euro pasi u paraqit një minutë me vonesë në konferencën për shtyp të së enjtes. Ndërkohë, Ferrari u ndëshkua me një gjobë prej 10 mijë eurosh (5000 euro për secilën makinë), pasi nuk dorëzoi setet e duhura të gomave pas sesionit të parë të provave të lira.

NJË TIFOZ I VEÇANTË Luis Hamilton ka më shumë se 43 milionë ndjekës në “Instagram”, por ndjek shumë pak profile, më pak se 10. Mes tyre madje nuk përfshihet as llogaria zyrtare e Ferrarit. Megjithatë, në prag të Çmimit të Madh të Belgjikës, shtatë herë kampioni i botës u bë ndjekës i Racing Bulls. Ekipi me bazë në Faenza publikoi një foto të këtij momenti me mbishkrimin: “Të gjithë janë tifozët tanë”. Natyrisht, bëhej fjalë për një gabim. Me shumë mundësi Hamilton kishte shtypur gabimisht butonin e ndjekjes. Në fakt, pak më vonë ai e hoqi ndjekjen nga profili i skuadrës.

SPEKTAKËL NË KONFERENCË Mes pyetjeve të ndryshme që iu drejtuan Andrea Kimi Antonelit gjatë fundjavës, njëra ishte veçanërisht interesante: “Cili është personi më i famshëm në Itali?” Piloti i Mercedesit u përgjigj menjëherë: “Sharl Lëklerk”, i cili në atë moment ndodhej ulur në të djathtën e tij në konferencë. Përgjigjja shkaktoi buzëqeshje te piloti i Ferrarit. Më pas, Kimi dha edhe një vlerësim për paraqitjen e tij në pjesën e parë të sezonit: “Nuk do t’i jepja vetes notën 10, për shembull për gabimin në provat e lira 3 në Australi, ku për pak humba edhe kualifikimin. Në Japoni fitova, por nisa shumë keq. Kohët e fundit mendoj për gabimin në Sprintin e Majamit ose për kualifikimet në Barcelonë dhe Austri. Do t’i jepja vetes një 8.5″.

RREZIK NË BOKSE Pas përfundimit të pit-stopit, Luis Hamilton pa dritën jeshile dhe u nis, duke goditur një mekanik. Fatmirësisht, ai nuk pësoi pasoja. Incidenti u hetua nga komisarët pas garës dhe Ferrari u gjobit me 30 mijë euro për një dalje të pasigurt nga bokset. Hamilton shpjegoi: “Nuk bëra asgjë të pazakontë. Ndoshta përgjegjësia ishte më shumë e ekipit. Në atë moment mendova për rastin kur një mekanik theu këmbën në bokse me Kimi Raikonen. Për një sekondë mu shtrëngua zemra, por jam vërtet i lumtur që ai është mirë”.

TENSIONI I BOTËRORIT Mes pilotëve të Formulës 1 kishte edhe nga ata që prisnin me padurim ndeshjen mes Argjentinës dhe Spanjës. Fernando Alonso shpjegoi se objektivi i tij për fundjavën në Belgjikë ishte “të kthehej në shtëpi në kohë për të parë finalen e Botërorit”. Karlos Sainz u shfaq në “paddock” me fanellën e Spanjës, ndërsa Franko Kolapinto me atë të Argjentinës. Ndërkohë, Sharl Lëklerk nuk pranoi të mbante anë për asnjërën kombëtare: “Do të qëndroj neutral, përndryshe e gjithë Spanja ose Argjentina do të më kritikojë. Jam nga Monako, kështu që: Forca Monako”.HH



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×