
Policia e Elbasanit ka goditur një aktivitet kriminal në fushën e kontrabandës dhe dhënies së ndihmës për kalim të paligjshëm të kufijve, duke finalizuar brenda një kohe të shkurtër dy operacione të njëpasnjëshme të koduara “Aksi” dhe “Aksi 01”.
Si rezultat i ndërhyrjeve të mirëorganizuara në aksin rrugor “Librazhd–Elbasan”, janë vënë në pranga 3 shtetas, të cilët po transportonin gjithsej 24 emigrantë nga vendet e treta, me synim kalimin ilegal drejt vendeve të Bashkimit Europian.
Operacionet u zhvilluan nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve, në bashkëpunim të ngushtë me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale dhe Forcës së Posaçme “Shqiponja”.
Operacioni “Aksi”: Gjatë kësaj ndërhyrjeje, u arrestua në flagrancë shtetasi F. M., 22 vjeç, banues në Elbasan, i cili u kap duke transportuar 14 emigrantë të paligjshëm.
Operacioni “Aksi 01”: Gjatë këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit A. R., 23 vjeç dhe D. Ç., 24 vjeç, të dy banues në Përrenjas, të cilët po transportonin 10 emigrantë. Nga verifikimet e mëtejshme rezultoi se shtetasi A. R. jo vetëm që ishte përfshirë në trafikim, por e drejtonte automjetin pa leje drejtimi.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar dy automjetet e përdorura për transportin e emigrantëve. Materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme penale në ngarkim të të arrestuarve.
and then