
Të shtëna me armë zjarri janë dëgjuar mbrëmjen e sotme në zonën e njohur si “Hamalla e Dedës”, pranë fshatit Qafë T’Mugu, në Qelëz të Pukës.
Sipas të dhënave paraprake, një skuadër e Policisë ka qenë duke monitoruar një parcelë të dyshuar të kultivuar me kanabis, në një zonë të thellë malore. Dyshohet se punonjësit e Policisë janë pikasur nga personat që mund të jenë të përfshirë në kultivimin e lëndëve narkotike, pas së cilës janë dëgjuar të shtënat.
Për shkak të situatës, efektivët në terren kanë kërkuar përforcime. Në drejtim të zonës së thellë malore raportohet se janë nisur forca shtesë, ndërsa një grup i FNSH-së nga Shkodra është angazhuar për mbështetje.
Nuk ka ende të dhëna zyrtare për persona të plagosur apo për ndonjë arrestim lidhur me të shtënat. Policia vijon kontrollet dhe operacionin në zonën malore.
Në të njëjtën zonë, vetëm tre ditë më parë, një shtetas u arrestua nga Policia nën dyshimin për kultivim të lëndëve narkotike dhe armëmbajtje pa leje.
Ngjarja vijon të jetë në zhvillim, ndërsa priten të dhëna të tjera nga Policia për rrethanat dhe autorët e mundshëm të të shtënave.
and then