Detaje nga atentati në Dukagjin/ Vrasja e babë e bir, makina e bërë shoshë nga plumbat

Shkodër – Një atentat i rëndë me armë zjarri ka tronditur zonën e Dukagjinit, ku kanë mbetur të vrarë babë e bir, ndërsa një person tjetër është plagosur.

Viktimat janë identifikuar si Prelë Gjoni, 82 vjeç, dhe djali i tij, Lekë Gjoni, 57 vjeç. Në automjet ndodhej edhe Lazër Bashi, i cili mbeti i plagosur, por fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën.

Ngjarja dyshohet se ka ndodhur rreth orës 16:00, në rrugën e fshatit Xhan, teksa babë e bir po ktheheshin nga banesa e tyre e vjetër në Dukagjin drejt Shkodrës. Pa dalë ende nga rruga e fshatit, dy persona të paidentifikuar kanë hapur zjarr në drejtim të automjetit.

Në vendngjarje janë gjetur më shumë se 50 gëzhoja, ndërsa sipas të dhënave paraprake janë përdorur dy armë zjarri, një kallashnikov dhe një MP5. Fakti se janë përdorur dy armë përforcon dyshimet se në atentat kanë marrë pjesë të paktën dy autorë.

Lazër Bashi, i cili ndodhej në pjesën e pasme të automjetit, ka mbijetuar dhe fillimisht është dërguar në Spitalin e Shkodrës, ndërsa më pas është transportuar drejt Tiranës për mjekim të specializuar.

Pas njoftimit për ngjarjen, në zonë janë angazhuar dhjetëra forca policie dhe efektivë të RENEA-s, të cilët kanë nisur kontrollet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Policia është njoftuar rreth orës 17:20, ndërsa efektivët kanë mbërritur në vendngjarje rreth orës 19:00, për shkak të terrenit të vështirë malor dhe distancës së madhe.

Familjarët kanë deklaruar para hetuesve se Prelë dhe Lekë Gjoni nuk njiheshin si persona me konflikte dhe se nuk kanë dijeni për ndonjë kërcënim të mëparshëm ndaj tyre. Sipas tyre, një ditë para ngjarjes, babë e bir kishin shkuar në banesën e vjetër në Dukagjin, ku mbanin edhe disa koshere bletësh, dhe po ktheheshin normalisht drejt banesës së tyre në zonën e Grudës, në Shkodër.

Një nga pistat ku po heton policia lidhet me divorcin e 57-vjeçarit, rreth tre muaj më parë, nga bashkëshortja e tij, me të cilën kishte katër fëmijë. Megjithatë, deri tani nuk ka prova konkrete që ta lidhin atentatin me divorcin dhe kjo mbetet vetëm një pistë hetimore.

Hetuesit po verifikojnë gjithashtu aktivitetin e Lekë Gjonit, i cili punonte me një kamion dhe ditët e fundit kishte transportuar materiale ndërtimi për një banesë në fshatin Gjuraj të Dukagjinit. Ai kishte edhe një eskavator, me të cilin punonte së bashku me një tjetër banor të zonës.

Zbardhja e ngjarjes paraqet vështirësi për grupin hetimor për shkak të terrenit të thyer malor, mungesës së sinjalit telefonik dhe kamerave të sigurisë në zonë. Koha e gjatë nga momenti i atentatit deri në mbërritjen e policisë dyshohet se u ka dhënë autorëve mundësinë të largohen.

  1. Policia dhe Prokuroria vijojnë hetimet për identifikimin e autorëve, zbardhjen e dinamikës së atentatit dhe përcaktimin e motivit të vrasjes së dyfishtë.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×