
Besueshmëria e bankave qendrore, stabiliteti financiar dhe integrimi europian ishin në fokus të një konference të zhvilluar në Malin e Zi, ku mori pjesë edhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko.
Në aktivitetin e organizuar nga Banka Qendrore e Malit të Zi, Sejko ishte pjesë e një paneli me guvernatorët e bankave qendrore të rajonit, ku u diskutuan sfidat ekonomike në një mjedis të karakterizuar nga pasiguria.
Guvernatori theksoi se besueshmëria është thelbësore për kontrollin e inflacionit, ruajtjen e besimit të publikut dhe stabilitetin makroekonomik.
Duke iu referuar Shqipërisë, ai nënvizoi rëndësinë e një politike monetare të qëndrueshme, kursit fleksibël të këmbimit dhe forcimit të sistemit financiar, në përputhje me standardet europiane.
Ndërkohë, Banka e Shqipërisë po përgatit zbatimin e TIPS Clone, sistemit të pagesave të menjëhershme, që pritet të implementohet deri në fund të vitit dhe të sjellë kursime në kohë dhe para për qytetarët dhe bizneset.
Në fokus ishte edhe anëtarësimi i Shqipërisë në SEPA, që pritet të mundësojë pagesa më të shpejta dhe me kosto më të ulët me vendet europiane.
Gjatë vizitës, Sejko zhvilloi takime edhe me përfaqësues të FMN-së dhe drejtues të bankave qendrore të rajonit, ku u diskutuan integrimi europian dhe forcimi i bashkëpunimit financiar.
and then