Ftesa e Ramës për tryezë/ Kreu i Unionit të Gjyqtarëve: Jemi për dialog, por nuk kemi asnjë shkresë. Sot shkojmë në Kushtetuese për herë të 4

Kreu i Unionit të Gjyqtarëve, Gerd Hoxha, ka deklaruar se nuk ka marrë asnjë ftesë për dialog nga Kryeministri Edi Rama, pas miratimit në Kuvend të ligjit të ri për pagat e magjistratëve me votat e mazhorancës.

I ftuar në emisionin “Minuta e Parë” në News24 me gazetaren Ola Bruko, Hoxha tha se edhe kolegët e tij nuk kanë marrë një ftesë të tillë, por theksoi se gjyqtarët janë pro dialogut dhe e konsiderojnë atë si rrugën për zgjidhjen e problematikave.

“Nuk kam asnjë ftesë. Besoj se dhe kolegët e tjerë nuk kanë asnjë ftesë. Por dua të nënvizoj faktin se jemi pro dialogut. Është e vetmja rrugë që zgjidh problemet. Ne i dëgjojmë palët, i ftojmë që të dialogojmë. Ne i kemi ftuar këtu e 7 vite më parë për dialogim. Tri herë radhazi na janë mohuar diskutimet”, u shpreh Hoxha. Ai deklaroi se gjyqtarët kanë kërkuar ndër vite ndërhyrje për statusin e magjistratëve dhe për garantimin e pavarësisë së gjyqësorit. Sipas tij, ata janë drejtuar disa herë Gjykatës Kushtetuese, jo për rritje pagash, por për të kundërshtuar uljen e tyre dhe për të kërkuar respektimin e standardeve të përcaktuara për statusin e magjistratëve.

“Për funksionimin e së drejtës dhe pavarësisë së gjyqësorit, kemi qenë tri herë në Kushtetuese, për të kërkuar jo rritjen e pagave, por mosuljen. Parashikohej si element kyç i pavarësisë së gjyqtarëve paga”, tha kreu i Unionit të Gjyqtarëve. Hoxha theksoi se statusi i magjistratëve, sipas tij, duhet të rishikohet edhe në aspekte të tjera, përfshirë strehimin, kujdesin shëndetësor dhe shkollimin e fëmijëve.

Ai bëri me dije se përfaqësues të shoqatave të gjyqtarëve dhe prokurorëve, së bashku me Këshillin e Lartë Gjyqësor, pritet të depozitojnë sot kërkesën e radhës në Gjykatën Kushtetuese për shfuqizimin e ligjit të miratuar nga Kuvendi për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. “Këto momente do të depozitohet kërkesa e katërt e magjistratëve, e përpiluar nga shoqata e gjyqtarëve, e prokurorëve, KLGJ, për shfuqizimin e ligjeve që miratoi Kuvendi për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe kërkesa kryesore: pezullim të zbatimit të këtij ligji”, deklaroi Hoxha.

Sipas tij, kërkesa do të depozitohet në Gjykatën Kushtetuese nga përfaqësuesit e shoqatave përkatëse. Në lidhje me thirrjet e Ramës për dialog, Hoxha tha se diskutimi duhet të zhvillohet mbi bazën e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe se këto vendime nuk mund të jenë objekt negociimi. “Kur kemi kërkuar dialog, kemi kërkuar që të jetë serioz dhe i mbështetur fort mbi një dysheme, që është vendosur me vendim. Ne kemi theksuar se nuk mund të negociojmë me Kushtetutën, që të respektohen vendimet e Kushtetueses apo jo”, u shpreh Gerd Hoxha.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×