
Hetimet për ish-zv.kryeministren Belinda Balluku sjellin për të tretën herë në ambientet e SPAK ish-futbollistin e Kombëtares, Igli Tare. Prej orës dhjetë të së hënës, ai po jep shpjegime para hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, lidhur me një vilë luksoze në Palasë, të regjistruar në emër të tij, por që sipas hetimeve rezulton të jetë pasuri e fshehur e ish-ministres Balluku, pronë që tashmë është vënë nën sekuestro. SPAK thotë se vila, deri në fazën e karabinasë, është financuar nga Tare, ndërsa për pjesën tjetër të ndërtimit, investimi është kryer nga kompania Alko Impex General Konstruktion e Arbër Abazit, kompani e cila ushqehej me tendera kur Balluku drejtonte Ministrinë e Infrastrukturës.
Sikurse edhe në rastet e tjera, tashmë në dyert e SPAK, ish-futbollisti, i cili po hetohet për pastrim parash, refuzoi të bënte komente për mediat. SPAK më herët ka vënë nën sekuestro një tjetër vilë luksoze në Dhërmi, e cila po ashtu rezulton në emër të Tares, por zotërohet tërthorazi nga Balluku. SPAK po heton ish-ministren e Infrastrukturës për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie, ndërsa e ka marrë të pandehur për shkelje të barazisë në tendera për disa procedura tenderuese, në vlera miliona euro.
Balluku po hetohet nën masat e sigurisë “ndalim për të dalë jashtë vendit” dhe “pezullim nga ushtrimi i funksioneve”.
Vila në Palasë
Vila në Palasë e sekuestruar në 9 shtator, e cila sipas SPAK-ut është në “pronësi faktike” të ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, ishte projektuar që në fillim për të qenë sa më luksoze, me pishinë dhe vaska hidromasazhi si ato të hoteleve të shtrenjta në ishullin e famshëm grek Santorini. Të paktën kështu rezulton nga dy e-maile, pjesë e provave të Prokurorisë së Posaçme, të cilat i janë dërguar Ballukut nga studio “Atelier 4”. Ato datojnë në shtator të vitit 2020, një muaj përpara se të firmosej kontrata e sipërmarrjes nga Igli Tare, personi që sipas SPAK-ut ka shërbyer për të fshehur pronësinë e vërtetë të vilës.
Vila e saj mesa duket ndan të njëjtin territor me një tjetër, e cila mendohet se i përket sipërmarrësit Arbër Abazi. Ky i fundit dyshohet të ketë marrë përsipër investimin për përfundimin e vilës, në këmbim të favorizimit të kompanisë së tij të ndërtimit, “Alko Impex General Construction”, e shpallur fituese në tetor të 2021 për një nga lotet e Unazës së madhe të Tiranës, në një tender afro 2.7 miliardë lekësh (me Tvsh).
Ndërtimi në momentin kur janë nisur dy email-et, duket të ketë qenë në fazë ende të hershme, por nga përmbajtja e tyre, Balluku shfaqet të ketë qenë e interesuar që të ketë një ide të plotë e të qartë, se si do të dukej vila, e cila ka përfunduar në vitin 2025. Madje lihet të kuptohet se studio e arkitekturës i ka dërguar më herët një tjetër variant.
“Po të dërgoj një rishikim. Kemi idenë që edhe nëse një ditë vendos të japësh me qira, përdoruesit të mund të ndihen të llastuar njësoj si në hotel. Shkallët mes 2 godinave kanë gjelbërim kacavjerrës në të dy muret anësore. Në një krah të pishinës zbritet me shkallë dhe ka një tavolinë ngrënie në një nivel me ujin, që të shijohet në maksimum infinity pool. Pishina në skajin drejt detit ka po ashtu një plan për të vendosur gota e ndonjë pjatë”, shkruhet në email.
Por projekti parashikon edhe vaska hidromasazhi sipas modeleve të një Luxury Hotel, “Rocabella’ në ishullin grek Santorini, i njohur për klientelën e pasur të tij.
“Në 2 krahët anësore të shtëpive niveli i hyrjes dhe i suitave janë bërë 2 vaska hidromasazhi (shih hotel Roccabella në Santorini)”, është sugjerimi i studios, e cila e njofton se do t’i ofrojë disa variante për dhomat “suitë”.
“Suitat do i punojmë akoma me variante. Ndarjet e kuzhinës me soggiornon dhe të garderobës tek master bedroom janë fizarmonikë. Një pjesë e mirë e ambienteve rreth pishinës janë veshur me teak për një felling pak më të ngrohtë e pak si jaht”, shkruhet në tekst.
Në e-mail studio i thotë se shumë shpejt do t’i dërgojë projektin të realizuar në render dhe “nëse s’të ngjit, kthehemi tek mermerët blu”.
Pas 4 ditësh, më 18 shtator, përmes një tjetër emaili, studio “Atelier 4”, i dërgon Ballukut një dokument me 11 fletë që përmban planimetrinë dhe projekte të sipërfaqeve të dy vilave të emërtuara si “Vilat binjake”.
Vila në Palasë, ka një sipërfaqe trualli prej 478 metrash katrorë, dy kate me një sipërfaqe totale prej 271.2 metra katrorë dhe dy garazhe njëri 20 dhe tjetri 40 metra katrorë.
Vila te kompleksi “White Rock” në Dhërmi
Më herët SPAK i kishte sekuestruar një vilë, po në bregdetin e jugut, në kompleksin “White Rock” në Dhërmi, edhe kjo e regjistruar në emër të Tares. Në këtë rast, Prokuroria e Posaçme kishte shpjeguar se ajo kishte qenë fryt i një ryshfeti, në këmbim të një tenderi që ajo kishte dhënë për rindërtimin e godinës së Albcontrol-it, në kohën kur kishte drejtuar këtë institucion.
Përveç dyshimeve për shkelje të barazisë në tendera në 8 raste (Tuneli i Llogarasë, 6 lote të Unazës së Madhe dhe ndërtimi i rrugës Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri- Shkozë, Urat mbi lumin Tirana), për korrupsion e pastrim parash, Ballukut i është shtuar dhe një tjetër vepër penale, ajo e “mosdeklarimit apo fshehjes së pasurisë”.
and then