Legjionarët/ Mirlind Daku realizon dopietë ndaj ish skuadrës së tij, “lum” golash nga Turqia

Legjionarët shqiptarë spikasin sërish me skuadrat e tyre, duke regjistruar gola dhe asiste në kampionatet ku aktivizohen.

Mirlind Daku zhvilloi një paraqitje të shkëlqyer në kampionatin rus, duke realizuar dy gola në fitoren 4-0 të Spartakut të Moskës ndaj Rubin Kazanit, ish-skuadrës së tij. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare u aktivizua në minutën e 64-t dhe vetëm një minutë më vonë dërgoi topin në rrjetë për golin e tretë të skuadrës së tij. Në minutën e 90-të, Daku vulosi rezultatin përfundimtar me golin e dytë personal. Daku kishte realizuar gjithashtu dy gola të enjten, në ndeshjen e Kupës ndaj Rodina Moskës.

Protagonist me dy gola ishte edhe Taulant Seferi, i cili kontribuoi drejtpërdrejt në fitoren 4-0 të Kayserisporit në transfertë ndaj Antalyasporit. Sulmuesi shqiptar shënoi fillimisht në minutën e 24-t dhe realizoi sërish në minutën e 53-të, duke konfirmuar formën e mirë që po kalon. Me nëntë gola të shënuar në kampionat, Seferi renditet ndër golashënuesit më të mirë, në të njëjtën kuotë me Rey Manajn.

Në Turqi, gol realizoi edhe Qazim Laçi. Mesfushori i Kombëtares shqiptare shënoi në minutën e 32-të të sfidës së Rizesporit ndaj Corumit, me një goditje të saktë brenda zonës që përfundoi në trekëndëshin e portës kundërshtare. Ky ishte goli i tij i dytë në tetë javët e para të kampionatit.

Ndërkohë, Rey Manaj vazhdoi serinë e golave me fanellën e Sivassporit. Sulmuesi shqiptar shënoi në minutën e 30-të të ndeshjes ndaj Sariyer. Me këtë realizim, Manaj regjistroi golin e tij të nëntë në kampionat, ku numëron edhe dy asiste.

Në kampionatin MLS, Myrto Uzuni gjeti gjithashtu rrugën e rrjetës me fanellën e Austin FC. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare shënoi në minutën e 41-të ndaj Vancouverit, duke përfituar nga një gabim i kundërshtarëve dhe duke kaluar skuadrën e tij në avantazh. Megjithatë, Vancouveri reagoi në pjesën e dytë, duke realizuar dy gola dhe duke përmbysur rezultatin.



“Arena e Lajmit”

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×