Dosja Balluku kalon për gjykim/ Klodiana Lala zbardh detajet: SPAK përllogarit 5.4 miliardë lekë dëm për tunelin e Llogarasë! Dy vila me vlerë 1.8 mln euro

Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në emisionin “Minuta e Parë” në News24, ka komentuar kalimin për gjykim në GJKKO të dosjes ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe personave të tjerë të pandehur.

Lala u ndal te detajet e bëra publike nga kreu i SPAK, duke theksuar se akuzat më të rënda rëndojnë ndaj Ballukut, ndërsa personat e tjerë të marrë të pandehur përballen me akuza të veçanta, në varësi të rolit të tyre në procedurat tenderuese të hetuara.

Sipas gazetares, prokurorët kanë analizuar tenderat për të cilët dyshohet se janë paracaktuar përmes ndikimit të Ballukut. Për herë të parë, SPAK ka bërë publike edhe një shifër zyrtare lidhur me dëmin e dyshuar ndaj buxhetit të shtetit.

Bëhet fjalë për tenderin e tunelit të Llogarasë, ku dëmi ekonomik, sipas përllogaritjeve të prokurorisë dhe një grupi ekspertësh, arrin në 5.4 miliardë lekë.

Një tjetër element i rëndësishëm i dosjes, sipas Lalës, lidhet me dy vila që dyshohet se janë përvetësuar nga Balluku në emër të ish-futbollistit Igli Tare, me një vlerë totale prej 1.8 milionë eurosh.

Gazetarja u ndal edhe te roli i biznesmenit Arbër Abazi, për të cilin bëri me dije se, në përpjekje për të plotësuar kriteret e tenderit, dyshohet se janë paraqitur dokumente të falsifikuara.

Sa i përket ish-zëvendëskryeministres, prokurorët e akuzojnë se ka ndërhyrë drejtpërdrejt te Evis Berberi dhe vartës të tjerë, me qëllim orientimin e procedurave të tenderimit drejt biznesmenëve të favorizuar nga Ministria e Infrastrukturës, të cilën ajo drejtonte.

Lala theksoi se dëmi i dyshuar ndaj buxhetit të shtetit është i konsiderueshëm, duke nënvizuar se shifra prej 5.4 miliardë lekësh lidhet vetëm me një prej tenderave të hetuar, atë të tunelit të Llogarasë.

“Sot, kreu i SPAK na informoi për kalimin e dosjes së Ballukut për gjykim. Akuzat më të rënda rëndojnë ndaj Ballukut, e cila përballet me disa akuza. Personat e tjerë të pandehur kanë akuza të veçanta. Prokurorët kanë analizuar tenderat që dyshohet se janë paracaktuar nën ndikimin e Ballukut.

Për herë të parë, SPAK bëri publike një shifër zyrtare sa i përket dëmit të shkaktuar ndaj buxhetit të shtetit. Prokuroria u ndal te tenderi për tunelin e Llogarasë, ku dëmi, sipas prokurorëve, përllogaritet në 5.4 miliardë lekë. Kjo shifër është përllogaritur nga një grup ekspertësh. Ndërkohë, prokurorët deklaruan edhe një tjetër shifër, që lidhet me dy vila që dyshohet se janë përvetësuar nga Balluku në emër të Igli Tares, me një vlerë totale prej 1.8 milionë eurosh.

Në rastin e Arbër Abazit, për të plotësuar kriteret e tenderit, dyshohet se janë paraqitur edhe dokumente të falsifikuara. Ndërsa në rastin e Ballukut, prokurorët e akuzojnë se ka ndikuar drejtpërdrejt te Evis Berberi dhe vartësit e saj për të orientuar tenderat drejt biznesmenëve të favorizuar nga Ministria e Infrastrukturës, që drejtohej prej saj.

Dëmi i shkaktuar buxhetit të shtetit është i konsiderueshëm, duke pasur parasysh se shifra e përllogaritur i referohet vetëm një tenderi”, u shpreh ajo.



“Arena e Lajmit”

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×