
Një vendim i autoriteteve iraniane për të ndaluar burrat të ndjekin nga stadiumet ndeshjet e futbollit të femrave ka shkaktuar reagime të forta në arenën ndërkombëtare. Organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut i kanë bërë thirrje FIFA-s të ndërhyjë dhe të kërkojë anulimin e kësaj mase.
Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, muajin e kaluar Organizata e Ligës Iraniane të Futbollit u ka dërguar një direktivë klubeve anëtare, ku përcaktohet qartë se burrat nuk lejohen të jenë të pranishëm në ndeshjet e futbollit të femrave. Në dokument theksohet gjithashtu se klubet që nuk zbatojnë këtë urdhër do të mbajnë përgjegjësi për pasojat.
Vendimi ka ngritur shqetësime për shkeljen e parimeve të FIFA-s, e cila në statutet e saj ndalon diskriminimin për shkak të gjinisë, përfshirë kufizimet në aksesin në aktivitetet sportive. Human Rights Watch, Amnesty International dhe Sport & Rights Alliance i kanë kërkuar FIFA-s të përdorë ndikimin e saj për të kundërshtuar vendimin e autoriteteve iraniane. Sipas këtyre organizatave, kufizimi nuk prek vetëm tifozët meshkuj, por edhe trajnerët, gjyqtarët dhe gazetarët, të cilët nuk mund të marrin pjesë apo të ndjekin nga afër ndeshjet e futbollit të femrave.
Nga ana tjetër, FIFA ka rikujtuar rregulloret e saj kundër diskriminimit, si dhe deklaratat e presidentit Gianni Infantino në mbështetje të së drejtës së grave për të ndjekur ndeshjet e futbollit të meshkujve në Iran. Direktiva e re u zbatua përpara një përballjeje historike në futbollin iranian, derbit të parë të femrave mes dy klubeve të njohura, Esteghlal dhe Persepolis.
Ndeshja u zhvillua më 28 tetor dhe përfundoi me fitoren 2-1 të Persepolis. Në stadium u lejuan të hynin tifozet femra, ndërsa prania e burrave në tribuna ishte e ndaluar.
Vendimi ndikoi edhe në përbërjen e ekipit të arbitrimit. Gjyqtari ndërkombëtar Moud Bouniatifard, i cili fillimisht ishte caktuar për të qenë pjesë e ekipit të VAR-it, nuk u përfshi në fund në grupin e arbitrave për shkak të kufizimeve. Çështja e pranisë së grave në stadiumet e Iranit është një problem që vazhdon prej dekadash. Që prej vitit 1981, dy vjet pas Revolucionit Islamik, grave u është ndaluar të ndjekin ndeshjet e futbollit të meshkujve në pjesën më të madhe të vendit.
Gjatë kësaj periudhe, shumë gra kanë protestuar kundër kufizimit, ndërsa disa prej tyre kanë tentuar të hyjnë në stadiume të maskuara si burra. Përpjekjet janë shoqëruar me arrestime, dhunë fizike dhe ndjekje penale.
Vetëm në dhjetor të vitit 2023 u shënua një rikthim i kufizuar i grave në tribunat e ndeshjeve të futbollit të meshkujve, pas presionit të vazhdueshëm ndërkombëtar. Megjithatë, hyrja e tyre vijon të jetë e kufizuar në sektorë të caktuar dhe me vende të përcaktuara. Tashmë, ndalimi i burrave në ndeshjet e futbollit të femrave ka hapur një tjetër debat për diskriminimin gjinor në sportin iranian. Organizatat ndërkombëtare kërkojnë që FIFA të mos mjaftohet me deklarata, por të ndërmarrë hapa konkretë ndaj këtij vendimi.
and then