
Senegali është rikthyer zyrtarisht në fronin e futbollit afrikan! Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS) ka rrëzuar vendimin e mëparshëm të Konfederatës Afrikane të Futbollit (CAF), duke konfirmuar kombëtaren senegaleze si fituese të Kupës së Kombeve të Afrikës 2025.
Vendimi i CAS vjen pas një beteje ligjore që nisi pas finales së tensionuar ndaj Marokut, të zhvilluar në janar në Rabat. Në atë përballje, Senegali triumfoi me rezultatin 1-0 pas kohës shtesë, duke siguruar trofeun në fushën e lojës.
Megjithatë, afro dy muaj më vonë, komisioni i apelimit i CAF vendosi t’ia hiqte titullin Senegalit, duke e shpallur humbës në tavolinë. Shkak u bë largimi i përkohshëm i lojtarëve senegalezë nga fusha në minutat shtesë të pjesës së dytë, në shenjë proteste ndaj një penalltie të akorduar kundër tyre.
Federata Senegaleze e Futbollit nuk u pajtua me këtë vendim dhe e çoi çështjen në CAS, autoritetin më të lartë juridik në sport. Pas shqyrtimit të çështjes në Lozanë më 8 tetor, një trup gjykues prej tre anëtarësh doli me një vendim unanim në favor të Senegalit.
Në arsyetimin e saj, CAS theksoi se vendimi për rifillimin apo ndërprerjen e ndeshjes i përket ekskluzivisht arbitrit. Sipas gjykatës, arbitri Jean-Jacques Ndala kishte të drejtë të rifillonte lojën pasi të dyja skuadrat ishin rikthyer në fushë dhe kishin shprehur gatishmërinë për të vazhduar takimin.
Kështu, rezultati i finales mbetet i pandryshuar dhe Senegali konfirmohet përfundimisht kampion i Afrikës për vitin 2025.
and then