Të përdorura në ngjarje kriminale? Zbulohen kallashnikovë dhe maska silikoni, 4 në pranga në Fier e Lushnjë

Katër persona janë arrestuar dhe një tjetër është shpallur në kërkim në kuadër të tre fazave të operacionit policor “Siguria”, të zhvilluar në Fier dhe Lushnjë.

Gjatë kontrolleve janë sekuestruar katër armë zjarri, dy armë gjahu, municion luftarak, dy maska silikoni dhe sende të tjera të paligjshme. Dyshohet se armët e gjetura në Lushnjë janë përdorur në një ngjarje kriminale të mëparshme.

Policia e Fierit ka finalizuar tri faza të operacionit të koduar “Siguria”, në kuadër të kontrolleve intensive për parandalimin e ngjarjeve kriminale, goditjen e armëmbajtjes pa leje dhe të veprimtarisë së paligjshme në fushën e narkotikëve.

Në fazën e parë, në Fier, u arrestua në flagrancë një 42-vjeçar S. M., pasi gjatë kontrollit iu gjetën lëndë narkotike e dyshuar kokainë dhe dy maska silikoni, të cilat dyshohet se do t’i përdorte për kryerjen e veprimtarive kriminale. Gjithashtu, ai drejtonte automjetin në gjendje të dehur.

Në vijim të operacionit, po në Fier, u arrestuan dy persona, babë e bir, 60 dhe 25 vjeç, Z. T. dhe E. T. Gjatë kontrollit në banesën e tyre, policia gjeti dhe sekuestroi një kallashnikov, një pistoletë, një armë gjahu, municion luftarak dhe një dorezë metalike.

Ndërsa në Lushnjë, pas një hetimi disa javor, u arrestua një tjetër person dhe u shpall në kërkim djali i tij, 32 vjeç, me inicialet M. B. dhe L. B. Gjatë kontrollit në banesën e tyre, shërbimet e policisë sekuestruan dy kallashnikovë, një armë gjahu dhe municion luftarak.

Sipas hetimeve paraprake, armët e gjetura në Lushnjë dyshohet se janë përdorur në një ngjarje kriminale të ndodhur më herët.

Të gjitha armët e sekuestruara në Fier dhe Lushnjë do t’i nënshtrohen ekzaminimeve në Institutin e Policisë Shkencore, me qëllim verifikimin e përdorimit të tyre në ngjarje të tjera kriminale.

Ndërkohë, policia vijon punën për kapjen e 32-vjeçarit të shpallur në kërkim. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme.



“Arena e Lajmit”

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×