Fati i pallateve të dëmtuara nga tërmeti në Durrës ende i paqartë, banorët i tremben zhvlerësimit të pronës

Banoret

Problematikat e pallateve të dëmtuara nga tërmeti në Durrës nuk kanë të sosur.

Kur po i afrohemi vitit të tretë pas lëkundjes sizmike, për shumë pallate është ende i paqartë fati i tyre, riforcim apo shembje.

Akt-ekspertiza që kundërshtojnë njëra-tjetrën dhe qytetarë që zhgënjehen apo shpresojnë nga përgjigjet institucionale.

I tillë është rasti i banorëve të një pallati 11 katësh, në lagjen nr.5 të qytetit.

Kthim përgjigja nga Instituti i Ndërtimit ka hapur një dritë shprese për ata, pasi pallati i shpallur fillimisht me dëmtime DS3, rrezikon shembjen pas projektit të rikonstruksionit të bërë nga kompania e projektimit ArkonStudio.

Instituti i Ndërtimit i rekomandon banorëve t’i drejtohen bashkisë, sepse nëse pretendimet e tyre janë të sakta, ky institucion mund ta rishikojë vendimin e marrë për shembjen e godinës.

Dy vite më parë, banorët kanë përfituar grantin e rindërtimit në vlerën 500 mijë lekë të reja, por tani i tremben faktit se paratë e shpenzuara për riparimin e apartamenteve mund të kthehen në pirg inertesh në rast se godina demolohet.

Nga ana tjetër, nëse pallati shembet familjet mund të sistemohen në sitin e Spitallës, ndërkohë që deri më tani kanë banuar në qendër të Durrësit.

Banorët i tremben zhvlerësimin e pronës së tyre për shkak të spostimit në periferi të qytetit.

“Mund të kenë bërë projekt sipërfaqësor për ta shemb pallatin dhe për të na degdis në Kënetë”,- thotë i shqetësuar një nga banorët.

Një tjetër banor, i kërkon bashkisë të heqë dorë nga matjet e zakonshme që bën në godinë dhe të vërë në lëvizje kompaninë projektuese që të bëjë projekt tjetër, duke respektuar specifikimet e pallatit në fjalë.

“Të zbulojnë pilotat që janë poshtë, ose të na thonë neve, që ta bëjmë individualisht”,- thotë një tjetër banor i pallatit.

Deri në përgjigjen e radhës institucionale, fati i godinës 11 katëshe mbetet i paqartë.

Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×