
E ftuar në emisionin “Kjo javë” me gazetaren Nisida Tufa, ministrja Elisa Spiropali ka zbuluar detaje nga takimi zyrtar në Kiev me Presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelensky, pak ditë më parë.
Spiropali tha se sa i përket çështjes së bllokimit të turistëve rus në Shqipëri, nuk u diskutua fare në këtë takim. Më tej ajo tregoi shqetësimet kryesore që Presidenti i Ukrainës kishte dhe me të cilat po përballet ky vend aktualisht, si nevoja për armë, e jo vetëm.
Po ashtu ministrja theksoi edhe një herë se gjatë takimin me kreun e shtetit të Ukrainës, kryeministri Edi Rama deklaroi se Kosova sikundër Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, ka mbajtur një qëndrim të fortë kundër Rusisë, duke dalë në krah të Kievit. Spiropali shprehet besim plotë tashmë se Ukraina do të ndryshojë qëndrim, dhe do të njohë Kosovën si shtet të pavarur .
Pjesë nga intervista:
A u diskutua në takim çështja e bllokimit të turistëve rus zonja ministre, sepse ky është një shqetësim që e ka përcjellë Presidenti Zelensky edhe në video mesazhin që pati në Parlamentin Shqiptar?
Jo për asnjë moment kjo çështje nuk u diskutua dhe ky është një shashkë e një grupi të dëshpëruar në Tiranë që nuk ka të bëjë fare me çështjen e Ukrainës. Aty u fol për nevojat që ka Ukraina tani e tutje, për mbështetjen që duhet të japim si një vend që presim konferencën e parë ndërqeveritare me BE, ishim aty për të bërë të qartë BE dhe Ukrainës për shkak të disa shqetësimeve që janë ngritur mbi xhelozinë që mund të shkaktojë në Ballkan marrja e statusit nga BE të vendit kandidat, se ne këtë problem jo vetën që nuk e kemi por e mbështesim me gjithë zërin tonë si domosdoshmëri për t’i dhënë këtij vend më shumë forcë për ta fituar këtë luftë.
Si ishte të takoje Presidentin Zelensky? Çfarë patë tek ai që e shqetësonte më shumë?
Ata humbin me qindra njerëz në ditë dhe të thuash shqetësues është shumë pak, ata rrojnë në një agresion dhe po humbin shumë njerëz në këtë luftë dhe është tragjike. Megjithatë nuk e kanë humbur vendosmërinë e tyre. Ne takuam Presidentin Zelensky, kryeministrin e Ukrainës, takuam kryetarin e bashkisë dhe të gjithë ka njerëz që janë të spikatur, Klichko kampion boksi… Megjithatë janë aty, bashkë me vëllanë, bashkë me stafin e tij dhe nuk e kanë lëshuar frontin për asnjë çast. E njëjta gjë del në sondazhet e tyre dhe për popullatë. Kanë nevojë për ndihmë! Patjetër që ky është shqetësim. Shpejtësia me të cilën u vijnë armatimet. Duhet kuptuar që kjo luftë nuk bëhet vetëm me armë, Rusia po e përdor ushqimin tani si armë, po pengon Ukrainasit të eksportojnë grurë, patjetër që ky është një problem. Po luftojnë për vlerat evropiane, këta njerëz i kanë dhënë të gjitha provat që janë evropian dhe po luftojnë për të qenë në familjen evropiane.
Nga ana tjetër nuk kemi vetëm një agresion luftarak, por kemi një shoqëri të mbyllur, tërësisht nën varësinë e mediave shtetërore, pra njerëzit në Rusi nuk marrin informacion të lirë mbi atë që po ndodh. Zëvendës ministri i jashtëm i Ukrainës po më tregonte një episod me një njeri nga Ukraina që kishte emigruar në Rusi dhe kur bisedonin me të në telefon ai nuk e besonte që ushtria po bënte masakra në Ukrainë, madje thoshte ‘epo Ukraina është fashishizuar dhe duke çliruar’, pra kishte rënë në demagogjinë dhe në shpëlarjen e trurit të medias ruse. Ata njerëz janë të marrë peng, shumica e tyre nuk dinë se çfarë po ndodh, dhe përgjegjësia tani ka kaluar në krime të luftës, në gjenocid.
Si e shihni rrugën e Ukrainës drejt BE dhe a do të bëj aq sa duhet BE për Ukrainën lidhur më ketë?
Kryeministrat e vizituan Ukrainën edhe për këtë arsye, meqenëse dosa prej vendeve të BE kanë filluar të artikulojnë që Ballkani Perëndimore mund të ndihet si i “tradhtuar”, kryeministrat bënë të qartë aty që mbështesin fuqimisht status kandidat për Ukrainën sepse e kuptojmë se ç’është lufta, Kosova po e po se e ka përjetuar në lëkurën e saj… Ndjeshmëria jonë është më e lartë se e vendeve të tjera dhe mbështetja jonë ka qenë e pakushtëzuar. Modestisht mund të them që Evropa duhet të kuptojë se nuk është çështje burokratike por e sigurisë së Ukrainës dhe Evropën. Putini nuk e ka vetëm me Ukrainën por me Evropën Lindore. Zotëron një mentalitet sovjetik, do të kthejë perandorinë dhe të gjunjëzojë Europën? Do e lejojmë këtë njeri? Kush të jep garanci që kjo nuk vazhdon me vendet e tjera? Ukraina është sot prova për botën Perëndimore.
Ju përmendët Kosovën, dhe Shqipëria ka mbajtur qëndrimin e saj që Ukraina ta njohë Kosovën si shtet i pavarur, si i shihni këto zhvillime?
Kryeministri e ngriti në të dyja takimet, me Zelensky dhe kryeministrin e Ukrainës, e bëri të qartë që jo vetëm Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, por dhe Kosova ka mbajtur të njëjtat qëndrime, nga ana tjetër ne i kuptojmë arsyet e tyre, në luftën e Kosovës konteksti i Ukrainës dhe qeverive pro-ruse në Ukrainë ka qenë krejt tjetër nga ç’është sot, dhe duke kuptuar faktin që Ukraina është ndarë përfundimisht na sfera ruse, është koha që sot Kosova të njihet, sepse çështjet e Krimesë, nuk kanë asnjë lidhje me pavarësinë e Kosovës.