Jo pak, por 45 milionë euro të shpenzuara që kur ishte 17 vjeç, ndonëse Reali i Madridit e la edhe një vit në huazim te Flamengo për ta sjellë në “Santiago Bernabeu” sezonin tjetër (viti 2018).
Dhe ta mendosh që “Nejmari i ri” erdhi me shumë bujë, por rrezikoi që të largohej si një meteor, duke parë se në vitin e tij të parë ishte më i përkushtuar te moda dhe jeta e natës në Madrid sesa te fusha e lojës.
Por Reali u tregua i duruar dhe pati të drejtë, sepse Vinicius Zhunior shpërtheu dhe vuri kokën mbi shpatulla, pasi nga pandemia e deri në mbrëmjen e finales së Parisit, ku shënoi golin vendimtar, ai është një tjetër lojtar. Kritikat dhe pa dyshim pesha e të luajturit me Realin e bëri të ndryshojë në thelb, aq sa ai vendosi të punësojë një staf prej 40 personash që merren për të, nga dieta dhe stërvitjet speciale deri në të gdhirë për të ruajtur masën muskulore, e deri te menaxheri i tij i rrjeteve sociale.
Kjo zgjedhje dha fryte fantastike, pasi Vinicius sezon pas sezoni u rrit dhe jo më kot sivjet ai numëroi shifra prej fenomeni: 22 gola dhe 22 asiste për tre trofe të ngritur: Superkupën e Spanjës, titullin në La Liga dhe më e rëndësishmja Champions-i, atë trofe të cilin as ai nuk u besoi syve kur e pati mes duarve, duke kujtuar se si arritën deri në triumfin parisien: “Është vërtetë e pashpjegueshme ajo që po jetoj. Luajta finalen time të parë, shënova dhe fitova.
Nuk e di nëse mund të ekzistojë diçka më e bukur sesa kjo në botë, edhe pse ende nuk arrij ta besoj. Nuk di çfarë të them përveç se të shijoj momentin dhe të falënderoj të gjithë shokët e skuadrës, Ançelotin dhe stafin, por pa dyshim edhe presidentin Perez që në disa raste ka pasur shumë durim me mua. Kur mendoj se si arritëm te trofeu, mes përmbysjesh e ripërmbysjesh, duket një çmenduri”, deklaroi 21-vjeçari Vinicius.
Arena e Lajmit

Loading…