Karlos Tevez i jep fund futbollit të luajtur. Në 13 muaj distancë nga ndeshja e fundit zyrtare me fanellën e Boka Zhunorit, sulmuesi argjentinas “var këpucët në gozhdë”.
Këtë lajm e ka bërë vetë të ditur 38-vjeçari me anë të një media argjentinase ku tregonte se nuk kishte stimuj dhe që kishte humbur tifozin më të madh, duke treguar për babain e tij, i cili ndërroi jetë në shkurtin e vitit 2021 pas infektimit me COVID-19:
“E kam lënë futbollin sepse kam humbur tifozin tim më të madh, babain tim. Kam humbur dhe stimujt e mi. Tani do të shijoj jetën, me familjen time dhe me punët e mia.
Kam pasur shumë oferta, por ka pasur ndryshime të rëndësishme për familjen time. Si futbollist kam dhënë gjithçka, tani jam i qetë. Në vitin 2021, thash që nuk do të luaja më.
Kam telefonuar agjentin tim dhe ia kam komunikuar këtë vendim. Kam folur dhe me Rikelmen, i cili është zv.president i Boka Zhuniorit dhe i kam kërkuar që të organizojë një konferencë për shtyp. Synimi im tani është të bëhem trajner.”, përfundoi ish-sulmuesi argjentinas.
Tevez më parë ka mbajtur veshur fanellat e Korinthiasit, Uest Hemit, Mançester Junajtid, Mançester Sitit, Juventusit dhe Shangai Shenhuasë.
Ai ka fituar gjithashtu shumë trofe ku ndër ta janë: 3 tituj kampion në Premier Ligë, 2 tituj kampionë në Serinë A, 5 tituj kampionë në Argjentinë, 1 titull kampion në Brazil, 1 Champions, 1 Botëror për Klube, 1 Kupë të Mbretëreshës, 1 Kupë të Anglisë, 1 Kupë të Italisë, 1 Superkupë të Italisë, 1 Kupë Interkontinentale, 1 Kupë Amerikano-Jugore, 1 Kupë Libertadores dhe 1 Kupë në Kinë.
– Arena e Lajmit

Loading…