Fjoart Jonuzi është ende i dyzuar për të ardh men e tij. Ai, së bashku me Krymin, në dy vitet e fundit krijuan një dyshe, e cila ka qenë një nga pikat më të forta të Vllaznisë. Të dy i bënin gjërat si duhej në mesfushën e kuqebluve në të dyja fazat e lojës, duke u bërë një dyshe e pamposhtur në Kategorinë Superiore.
Dy të fundit kanë qenë sezonet më të mira në karrierën e Jonuzit. Dy triumfe në Kupën e Shqipërisë janë tregues i periudhës pozitive të tij në Shkodër. Mesfushori, në një prononcim ekskluziv për “Panorama Sport”, ka folur për trofetë e ardhur në Shkodër. “Për mua ishte një nga gjërat më të bukura që më ka ndodhur dy vite me Vllazninë. Dy trofe të Kupës janë diçka e paimagjinueshme”, është shprehur fillimisht Jonuzi, duke treguar një pjesë të përjetimit të tij.
E ARDHMJA – Megjithatë, është ende e paqartë nëse Jonuzi do të vazhdojë të jetë pjesë e Vllaznisë në sezonin e ri. Lojtari është në fokusin e disa ekipeve të Kategorisë Superiore, si dhe jashtë vendit. Vetë Jonuzi tregon se ka oferta të favorshme në liga jashtë vendit, por edhe nga ekipe të rëndësishme të Kategorisë Superiore.
Ai tregon se është ende i pavendosur. “Është e vërtetë që menaxheri im ka marrë disa oferta nga ekipe jashtë Shqipërisë, por jo vetëm. Kam oferta direkte edhe nga ekipe elitare të Superiores. Dëshira ime është një aventurë jashtë Shqipërisë, prandaj jam ende i pavendosur. Kam oferta edhe nga Superiorja. Do shikoj e do bëj”, shtoi mesfushori.
VLLAZNIA – Vllaznia për Jonuzin tani është shtëpia e dytë. Kuksiani shprehet se Shkodra dhe Vllaznia janë tashmë shtëpia e tij. Te kuqeblutë duan që të rinovojnë, por deri tani nuk ka asgjë konkrete. Mesfushori shprehet se drejtuesit i kanë ofruar një kontratë të re më të mirë financiarisht.
“Drejtuesit kuqeblu më kanë kërkuar për të rinovuar. Kuptohet, duke më ofruar një kontratë të re me rritje rroge. Në ditët në vijim do të mësohet më shumë në lidhje me këtë. E thashë, për mua Vllaznia është si shtëpi. Në Kategorinë Superiore nuk do të preferoja asnjë ekip tjetër para Vllaznisë”, deklaroi mesfushori. Në rast se do të largohej edhe Jonuzi, pa dyshim, do të përbënte një problem të madh. Krymi la ekipin gjithashtu pas finales së Kupës.
ADMIR URUÇI – Arena e Lajmit

Loading…