“Dikush goditi arbitrin Oliver me grusht”, Bufon zbulon episodin ndaj Real Madridit dhe pohon: Luaj edhe dy vite

Xhanluixhi Bufon nuk e ka ndërmend t’i varë dorezat, edhe pse është sot në moshën 44-vjeçare. Legjenda italiane, sot portier i Parmës, ka ende dy vite kontratë me verdheblutë dhe në një intervistë për “La Stampa” ka zbuluar jo vetëm ambiciet e tij, por edhe një sërë momentesh që kanë shënjuar karrierën e tij, nga “Calciopoli” tek episodet në fushë.

65756567

SERIA B DHE “CALCIOPOLI”

Bufon nuk mund të mos nisej nga ai që ishte vendimi më i vështirë i karrierës së tij, qëndrimi me Juven në Serinë B, për të cilën tregoi mes emocionesh: “Më duhet ta pranoj që e kam përjetuar keq ‘Calciopoli’- n. Unë isha një nga ata që kisha fituar Botërorin në Berlin dhe vendimi për të qëndruar në Torino ishte një zgjedhje që peshonte. Juve e pagoi më shumë se cilido, por kishte edhe klube dhe drejtues të tjerë të përfshirë… Doja të jepja një sinjal të fortë dhe qëndrimi im ishte për falënderuar njerëzit dhe klubin. Kisha marrë shumë nga ai klub dhe diçka duhet të ktheja. Triumfi që më ka shijuar më shumë ka qenë titulli i parë me Konten, ishte shpërblimi që morëm për qëndrimin në Serinë B në 2006-ën”.

KARTONI I KUQ NË CHAMPIONS

Një lider si ai ishte e çuditshme ta shikoje të ndëshkuar me karton të kuq në çerekfinalen e dytë të Champions League kundër Real Madridit në 2017- 2018-ën. Arbitri Majkëll Oliver e ndëshkoi pas protestave për një penallti në favor të spanjollëve në minutat shtesë, një episod i diskutueshëm që akoma dhe sot Bufon nuk e kupton: “Ajo është një ndeshje për të cilën jam më krenar (Juve humbi 0-3 në shtëpi dhe shënoi 3 gola në “Bernabeu”, duke e çuar ndeshjen në shtesë). Nuk e kuptoj ende pse më ndëshkoi mua, nuk e ofendova. Kam frikë se disa nga shokët e mi mund t’i kenë dhënë ndonjë grusht poshtë brinjëve, por nuk isha unë, edhe pse më dha karton të kuq. E rëndësishme, megjithatë, është të luftosh gjithmonë”.

PARMA

Rikthimi i Parmës në Serinë A është një nga synimet e Bufonit, për të cilin shprehet: “Nuk e mendoja se do të ruaja një nivel të tillë paraqitjeje në këtë moshë, por e kuptova që qëllimet duhen dhe krijohen gjatë rrugës. Nuk jam i pavdekshëm dhe e di që do të ndalem, por fjalët ‘gjithmonë’ dhe ‘kurrë’ në jetë nuk duhen thënë”.

ZËVENDËSUES I SHEZNIT

Dy vite si zëvendësues i Sheznit te Juventusi para se të shkonte te Parma, nuk e kanë penguar karrierën e portierit, një vendim që do e përsëriste. “Dy vitet si portier i dytë është një zgjedhje që do ta bëja sërish. Fakti që luaj akoma është edhe falë inatit sportiv që më ka ushqyer të mos qenit protagonist. E kam kthyer në energji pozitive”, tha 44-vjeçari.

KIELINI

Në fund Bufon ndau edhe një mendim për shokun e mijëra betejave, Xhorxho Kielinin, që do të vazhdojë karrierën në Amerikë. “Kielini është një njeri dhe një sportist unik dhe meriton urimet dhe fatin më të mirë. Jam i sigurt se do të bëjë mirë kudo”, përfundoi Bufon.

Arena e Lajmit


Loading…

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×