Klubet e Premier Ligës janë mbledhur këtë mesjavë dhe kanë marrë vendime të rëndësishme sa i përket të ardhmes, me dy prej tyre që kanë gëzuar padyshim tifozët e tyre.
Vendimi që ka marrë duartrokitjet e tifozëve ka qenë ai i biletave për ata udhëtues. Është vendosur që për tre vitet e ardhshme, çmimi tavan i tyre në çdo stadium të jetë 30 paund. Klubet e kanë marrë këtë vendim duke njohur “shpenzimet ekstra dhe jo vetëm për udhëtimet” të tifozëve të tyre që i ndjekin shpesh nga një cep në tjetrin të vendit. Njëkohësisht, do të ketë edhe mbledhje të tjera për të diskutuar një “paketë” të mirëfilltë që t’u ofrohet tifozëve të të gjithë klubeve.
Vendimi tjetër që është pritur me miratim nga mbështetësit e skuadrave, ishte pezullimi i kontratës 6-vjeçare që ishte nënshkruar me “Match TV”, televizionin rus me pagesë, për transmetimin e ndeshjeve të këtij kampionati në Rusi. Kontrata e re prej 43 milionë paund duhej të hynte në fuqi në gusht, por klubet i kanë bërë të ditur kompanisë që e cilësonin të pezulluar për shkak të pushtimit të Ukrainës nga ana e Rusisë.
Arena e Lajmit

Loading…