Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, po kalon ditë aspak të qeta në klub. Dy janë shqetësimet më të mëdha të tij. E para ka të bëjë me bilancin e rënduar financiar të klubit, ku deri më 30 qershor duhet të gjejë jo pak, por plot 500 milionë euro për të rregulluar bilancin financiar.
E dyta ka të bëjë me merkaton. Klubi katalanas pritet të nisë përgatitjet për sezonin e ri më 4 korrik dhe deri atëherë trajneri Ksavi Hernandez shpreson të ketë në përbërje disa nga lojtarët që i ka kërkuar klubit. Çështja është se pa shitur ndonjë nga xhevahiret e veta, Barcelona nuk mund t’i plotësojë asnjë dëshirë teknikut të saj. Vetë presidenti Laporta dhe enturazhi i tij e kanë pranuar se situata financiare është vërtet kritike dhe se duhen miliona të siguruara në çdo formë e nga çdo burim në mënyrë që më pas klubi të operojë në merkato.
E ndërsa financat shënojnë të kuqe të errët, klubi vazhdon të mendojë të afrojë yje. Natyrisht që bëhet fjalë për afrime me kosto zero. Por gjithsesi janë lojtarë, të cilët kërkojnë paga të majme për t’iu bashkuar projektit të klubit. Një prej tyre është mbrojtësi danez Andreas Kristensen.
Ai i ka dhënë fund aventurës me Çelsin dhe që nga dje është një lojtar i ri dhe tashmë destinacioni i ardhshëm i tij mbetet Barcelona. Sipas mediave spanjolle atë e pret një kontratë deri në vitin 2026 me katalanasit. Gjithsesi, për momentin Kristensen do të presë dhe pak para se të firmosë me katalanasit.
Arena e Lajmit

Loading…