Partizani është përballur me shumë largime dhe është i detyruar të futet “kokë e këmbë” në merkato. Pas ikjes së emrave si Mala apo Zhunior në sulm, të kuqve u duhen patjetër sulmues.

VIKTOR DA SILVA – Braziliani prej dy sezonesh ishte një nga lojtarët kryesorë të Vllaznisë, teksa në këtë fund sezoni vendosi të ndahej me kuqeblutë. Partizani e ka kontaktuar që në krye të herës dhe është drejt fundit të negociatave për të firmosur me të. Të dyja palët kanë shfaqur interesin për të punuar me njëratjetrën dhe gjatë këtyre ditëve po diskutohet çështja e pagës.

ALFRED MENSAH – Vetëm Da Silva nuk mjafton dhe drejtuesit e dinë mirë këtë fakt. Në këtë sezon merkatoja duket se është përqendruar në Superiore, pasi “Panorama Sport” mëson nga burime pranë klubit se Partizani është në negociata me Alfred Mensah. Ganezit i ka përfunduar kontrata me Skënderbeun dhe të kuqtë janë një prej opsioneve.
Para disa ditësh kanë qarkulluar informacione se për sulmuesin është interesuar edhe Hapoel Hadera nga Izraeli, çka e vështirëson jo pak misionin e “demave”.

GLEDI MICI – Tërësisht ndryshe është situata me Gledi Micin. Mbrojtësi i majtë i Prishtinës e ka dëshiruar transferimin te Partizani që në janar, por vetëm tani ai mund të bashkohet lirisht me “demat”.
“Panorama Sport” mëson nga burime pranë klubit se të premten e kaluar palët janë ulur së bashku dhe kanë arritur akordin për të gjitha detajet.
Mici ka marrëveshje me Prishtinën për prishjen me konsensus të kontratës dhe në momentin kur do të pajiset me dokumentacionin e plotë, 31-vjeçari pritet të bëhet lojtari më i ri i Partizanit.

Arena e Lajmit
Loading…
and then