Sezoni fantastik vazhdon me dhurata, ja nderimi që Reali i bëri Benzemasë

Ishte 2 qershori i vitit 2021 kur Karlo Ançeloti në ditën e prezantimit të tij si trajner i ri i Realit të Madridit deklaronte me të madhe: “Dua që Karim Benzema të shënojë 50 gola në sezonin e ardhshëm”. Kur ka kaluar diçka më shumë se një vit nga ajo deklaratë e teknikut italian të Realit, edhe ai vetë vështirë se mund ta besojë se Karim Benzema ia ka dalë të përmbushë dëshirën e tij. Aq më shumë po të mendosh se në sezonin e fundit të Zinedin Zidanit problemi më i madh i “Los Blancos” ishte pikërisht gjetja e golit.

BENZEMA 1

Madrilenët e mbyllnin sezonin – në të gjitha kompeticionet – me vetëm 88 gola të shënuar, nga të cilët 30 mbanin firmën e Karim Benzemasë. Krejt ndryshe situata në këtë sezon të parë të Karlo Ançelotit, ku golave të panumërt të Benzemasë u shtohen edhe një mori golash të realizuar nga Vinicius. Por pa u ndalur gjatë te Vinicius, natyrisht që vëmendja është te sulmuesi francez. Për Benzemanë ky që u mbyll ka qenë sezoni më i mirë në karrierë me plot 50 gola të shënuar në të gjitha kompeticionet.

Ai ka shënuar 44 gola në 46 takime të zhvilluara me fanellën e Realit të Madridit – arriti të shpallej golashënuesi më i mirë në La Liga dhe golashënuesi më i mirë në Ligën e Kampioneve – si dhe 6 gola të shënuar me fanellën e Francës. Ndaj, te Reali nuk janë shumë të shqetësuar për faktin se Kilië Mbape vendosi të refuzonte “Los Blancos” për të vijuar karrierën e tij te Paris SG-ja. E njëjta gjë vlen dhe për Erling Halandin, i cili zgjodhi Sitin para të gjithëve.

Me kontratën e vlefshme deri në vitin 2023, pakkush në klub dyshon se nëse ai do të ruajë nivelin që ka shfaqur në sezonin që u mbyll, rinovimi i kontratës me Realin e Madridit do të jetë vetëm një formalitet. Pak a shumë e njëjta situatë si me Luka Modriçin, i cili vetëm pak ditë më parë sigloi rinovimin e kontratës me kampionët e Europës. Fakt është se si Benzema dhe Modriç e kanë fituar vendin e tyre në historinë e Realit. Por ata të dy, së bashku me Kurtuanë dhe Viniciusin kanë qenë shtyllat e Real Madridit në një sezon të denjë për librat e historisë së klubit mbretëror. Sezoni fantastik i mbyllur pak ditë më parë ka bërë që Benzema të jetë golashënuesi i dytë më i mirë në historinë e Realit, duke lënë pas dhe emra të mëdhenj si Pako Gento e Raul Gonzales. Sezoni i ardhshëm do t’i shërbejë për të ngushtuar sadopak diferencën me mbretin e golave të Realit, Kristiano Ronaldo.

SHIRITI

Fati ka rezervuar një tjetër çmim për Benzemanë, që hyn në fuqi nga sot. Me Marselon që i ka dhënë fund karrierës së tij te Reali pas 16 vitesh, braziliani ia ka trashëguar shiritin e kapitenit sulmuesit francez. Ai në fakt e ka bërë në pjesën më të madhe të sezonit që lamë pas, por gjithnjë si një kapiten i dytë.

LEDJO SEFERKOLLI-Arena e Lajmit


Loading…

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×