
Arrestimin e biznesmenit të kriptomonedhave në Shqipëri, Faruk Fatih Ozer e kanë raportuar me bujë edhe mediat turke, të cilat shkruajnë për një bashkëpunim mes ministrive të Brendshme të të dyja palëve, për identifikimin e plotë dhe kërkesën për ekstradim në Turqi të biznesmenit të shumëkërkuar me “buletin të kuq” nga Interpoli.
Policia shqiptare njoftoi se Faruk Fatih Özer, themeluesi i Thodex-it, i cili ishte në kërkim u kap në qytetin bregdetar të Vlorës. Mësohet se policia shqiptare i ka dërguar autoriteteve përkatëse në Turqi një fotografi të të dyshuarit, pas transformimit të tij rrënjësor gjatë 1 viti qëndrimi në Shqipëri, për të kërkuar identifikim të plotë.
Sipas informacioneve të siguruara, policia shqiptare e ka kapur Faruk Fatih Ozerin rreth orës 8:30 dhe momentalisht po vijon marrja në pyetje e tij.
Policia shqiptare ka ndaluar dy persona, të cilët mësohet se kanë qenë në kontakt me Fatih Özerin tre muaj më parë dhe më pas i kanë lënë të lirë.
Gjithashtu, mediat turke raportojnë se kanë nisur veprimet për ekstradimin e Özer-it në Turqi.
Lajmi për mediat turke është bërë i ditur përmes njoftimit që Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Bledar Çuçi i ka bërë homologut të tij turk, Süleyman Soylu, njoftim i publikuar më pas e në të cilin thuhej se i shumëkërkuari Faruk Fatih Ozer, themeluesi i Thodex-it është kapur në qytetin e Vlorës dhe për identifikimin e tij është pritur konfirmimi i rezultateve biometrike nga autoritetet turke.
Rikujtojmë se për këtë çështje janë 21 të pandehur, 6 prej të cilëve janë të arrestuar, të dyshuar se kanë mashtruar mijëra njerëz përmes shkëmbimit të parave kripto-Thodex. Këta persona janë në gjyq prej kohësh dhe themeluesi Fatih Özer ishte shpallur në kërkim nga Interpoli me “buletin të kuq”.
Në aktakuzë, shkruhet se 21 të pandehurit, përfshirë dhe Faruk Fatih Ozer akuzohen për “krijimin dhe drejtimin e një organizate, me qëllim kryerjen e krimeve”, për “mashtrim duke përdorur sistemet e informacionit, bankat ose institucionet e kreditit si mjete” dhe për ” mashtrim të tregtarëve ose menaxherëve të kompanive dhe kooperativave”.
Mediat turke shkruajnë se ndaj të shumëkërkuarit të Interpolit rëndon edhe akuza për “mashtrim dhe pastrim të vlerave pasurore që rrjedhin nga krimi”, ndaj dhe është kërkuar dënim maksimal të Ozer-it dhe bashkëpunëtorëve të tij nga autoritetet ligjzbatuese.
Arena e Lajmit
and then