
Një ‘mbretëreshë’ bukurie e cila u shpall ‘Miss Krimea 2022’ është gjobitur me 40,000 rubla ruse (rreth 680 dollarë) nga autoritetet ruse pasi këndoi një këngë patriotike ukrainase “Chervona Kalyna”, sipas mediave shtetërore ruse dhe autoriteteve rajonale pro-ruse.
Olga Valeeva u kursye nga një dënim me burg sepse ajo ka fëmijë të mitur, njoftoi të hënën agjencia shtetërore ruse e lajmeve TASS.
Një zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Brendshme në Krime tha në një video se është identifikuar një video në internet në të cilën “dy vajza këndonin një këngë që është himni i betejës së një organizate ekstremiste”.
Ai tha se dyshja u arrestuan me akuzën për “kryerje të veprimeve të paligjshme që synojnë diskreditimin e përdorimit të Forcave të Armatosura të Federatës Ruse, si dhe shfaqjen publike të simboleve të ndaluara”.
Ato më pas u shpallën fajtorë nga një gjykatë, tha ministria, dhe shoqja e Valeeva u dënua me 10 ditë paraburgim.
“Chervona Kalyna” është një këngë patriotike ukrainase që është bërë virale gjatë pushtimit të Rusisë dhe grupi rock Pink Floyd ka publikuar një version ‘cover’.
Teksti i këngës nxit kombin ukrainas të ngrihet dhe të “gëzohet” si një bimë e kuqe kalina (“chervona kalyna”) që po rritet në një fushë.
“Në Krime, askush nuk dënohet për këngët normale ukrainase,” tha Oleg Kriuchkov, këshilltar i kreut të administratës ruse të Krimesë së pushtuar, të dielën.
“Askush nuk do të lejojë që këtu të këndohen himne nacionaliste! Nëse dëshironi të këndoni “Chervona Kalyna” ne do të ofrojmë një platformë – do t’ju çojmë në një territor neutral në Nikolaev ose Zaporozhzhia. Këndoni sa të doni”, shtoi Kriuchkov.
Rajoni ukrainas i Krimesë u aneksua ilegalisht nga Rusia në vitin 2014.