Rënia në Kategorinë e Parë, tifozët e Dinamos kërkojnë logon e vjetër dhe gjak… blu

Rënia nga kategoria ka sjellë zhgënjim në klub, por edhe më i madh është në radhët e tifozëve.

DINAMO

Këta të fundit filluan të ëndërronin për rikthimin e skuadrës së dikurshme, kur blutë u ngjitën në elitë pas shumë vitesh. Por gjërat nuk shkuan ashtu si duhej dhe sinjalet për këtë situatë tifozët e Dinamos i kuptuan shpejt.

Për hir të së vërtetës, ata kanë qenë që në fillim kundër politikave që ndoqi klubi me rikthimin në Superiore.

Ndryshimi i logos së Dinamos dhe drejtimi teknik i skuadrës nga njerëz që nuk kanë asnjë lidhje me këtë skuadër janë dy nga çështjet që tifozët blu i kanë kundërshtuar më forcë gjatë kësaj periudhe.

RIKTHIMI I LOGOS – Sapo klubi kryeqytetas bën një njoftim në faqen e vet zyrtare, menjëherë vërshojnë komentet, shumica e të cilëve kanë të bëjnë me logon e Dinamos.

Ata e kritikuan fuqishëm klubin verën e kaluar, kur u ndryshua logoja tradicionale.

U konsiderua një veprim pa sens, sepse logoja tradicionale përfaqëson vlerat dhe historinë e 18 herë kampionëve të vendit.

Gjatë sezonit që shkoi, presidenti Adrian Bardhi ka pohuar publikisht se do ta rikthejë stemën e vjetër, por deri tani kjo gjë nuk ka ndodhur.

Tifozët, ndërkohë, vazhdojnë të këmbëngulin.

Sipas tyre, logoja që u krijua vitin e kaluar ngjan më shumë me atë të Partisë Demokratike sesa me “D”-në tradicionale të Dinamos.

GJAK BLU – Po aq fuqishëm sa për rikthimin e logos, tifozët blu kanë reaguar edhe për çështjen e trajnerit të Dinamos. Ata kërkojnë gjak blu në krye të skuadrës së tyre të zemrës.

Me trajnerin e parë Bledi Shkëmbi nuk patën asnjëherë një raport të mirë, madje e shigjetuan atë jo vetëm në rrjetet sociale, por edhe gjatë ndeshjeve në stadium.

Pa lidhje u quajt nga tifozët e Dinamos edhe emërimi i Bledar Devollit në vend të korçarit dhe pastaj emërimi i italianit Rodolfo Vanoli në pjesën e fundit të sezonit.

Asnjërin prej tyre nuk e lidh asgjë me Dinamon dhe tifozët janë të bindur se skuadra do të bëjë shumë më mirë, nëse në krye të ketë një ish-dinamovit.

Nga kandidatët që janë përmendur deri tani për t’u ulur në stolin e Dinamos, vetëm Artan Mërgjyshi ka një të kaluar dinamovite si ish-lojtar dhe ish-trajner.

FATJON RUPI – Arena e Lajmit


Loading…

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×