Rapo Taho është në një mendje me Eqerem Memushin. Ish-futbollisti i shquar i vlonjatëve nuk është fort optimist për grupin e vjetshëm. Ai thekson se pa përforcime nuk ngjiten dot në elitë, ndaj klubi duhet të angazhohet sa më shpejt në merkato. Në një intervistë të dhënë enkas për “Panorama Sport”, ish-mbrojtësi vlerëson punën që po bën administratori Sinan Idrizi.
E megjithatë, nuk ngurron që t’i japë disa këshilla. Pret që të merren masat, pasi parashikon një garën të vështirë me Skënderbeun e Dinamon. Nuk i ka ardhur ndonjë ofertë, por me sinqeritet e thotë që do ta pranonte rolin e trajnerit nëse do t’i ofrohej.
Flamurtari i ka idetë të qarta për të ardhmen, do të tentojë ngjitjen. Si e shikoni skuadrën?
Nuk e dimë si do jetë grupi të flasim për të ardhmen, por gjërat duken mirë. Kemi dëgjuar fjalë të mira për vazhdimësinë nga administratori Idrizi. Besojmë shumë tek ai për ta çuar Flamurtarin ku e ka vendin.
Mendon Taho se 2023-shi do t’i kapë në Superiore?
Dëgjoni, ne ende nuk e dimë se cila do të jetë skuadra e re. Nuk dimë cilët do të jenë lojtarët, ndaj nuk mund të flasim ende për këtë gjë. Por, me sa shoh, gjërat duken në rrugën e duhur dhe skuadra do shkojë ku e ka vendin.
Duket se do të rikonfirmohet grupi aktual. Është mjaftueshëm për të realizuar objektivin?
Jo, nuk besoj se ky grup e ngjit dot. Duhen përforcime me patjetër. Pavarësisht se në skuadër ka lojtarë me eksperiencë, si Bicaj, Ramadani dhe të tjerë, duhen edhe lojtarë të rinj që t’i bashkohen skuadrës. Është gjë shumë e mirë të ruhet grupi, por patjetër që duhet të ketë blerje të tjera. Me këtë grup dhe pa blerje bëhet e vështirë, por unë di që administratori do të afrojë lojtarë.
Nëse ju ofrohet një rol drejtuesi në klub, do ta pranonit?
Deri tani nuk kam ndonjë ofertë. Por nëse më kërkohet, pse jo. Flamurtari është zemra ime, është familja ime.
E shikoni të vështirë Kategorinë e Parë këtë sezon?
Patjetër që do të jetë e vështirë. Ka skuadra me emër dhe peshë të madhe në futbollin shqiptar. Janë Flamurtari, Skënderbeu, Dinamo dhe nuk po përmendim fare ato që ishin vjet në Kategorinë e Parë, që nuk janë më larg me historinë dhe traditën. Do të jetë garë e luftuar, por e bukur. Do të jetë një mini-Superiore. Besoj se edhe stadiumet do të mbushen.
– Arena e Lajmit

Loading…