Teksa pritet që klubi të njoftojë rinovimin e kontratës së tij dhe të Frederik Masarës, Paolo Maldini ka vendosur të analizojë sezonin e fundit ku Milani u shpall edhe kampion Italie për herë të 19-të në historinë tij. Që nga goli më i bukur e te tri pikët më të rënda, drejtori teknik nuk kursehet, duke zbuluar edhe objektivat për sezonin që për kuqezinjtë do të nisë më 13 gusht.
Cila ka qenë fitorja më me peshë në kampionatin e fundit?
E them pa dyshim se ishte ajo me Lacion. Fitore kyçe dhe vendimtare për shtysën e fundit në ndjekje të titullit pavarësisht se kishim edhe ndeshje të tjera me peshë në vijim. Mendoj se një barazim ndaj bardhekaltërve do të na kishte ndikuar rrugëtimin tonë.
Të gjithë thonë se Milani fitoi prej grupit?
Nuk do të ishte e drejtë në drejtim të djemve sepse ata kanë cilësi dhe e kanë treguar. Sa për shpirtin tonë luftarak është një aspekt që na ka karakterizuar që në ditën e parë. Së bashku kemi kaluar momente të vështira mes pandemisë, dëmtimeve dhe gabimeve nga ana e arbitrave duke mos kërkuar kurrë justifikime.
Ka pasur ndonjë moment kur u lëkundët mbi forcën e ekipit?
Te forca nuk kam dyshuar kurrë, por një ekipi kaq të ri mund t’i ndodhte që të kishte rënie përqendrimi apo psikologjike sepse edhe presioni ishte i madh. Për shembull, lamë dy pikë me Bolonjën, e cila na kishte “paralajmëruar” për cilësinë e saj edhe në sfidën me Juventusin.
Cili ishte faji në atë barazim?
Në vitin 2022 nuk duhet të mendosh se një ndeshje është e lehtë, kushdo qoftë rivali. Kur merr një rezultat si të mirëqenë ndodh që të shtangesh nga përfundimi i ndeshjes.
Përse Milani e meritoi titullin?
Thjesht sepse ishim më të fortë, më konstantët dhe më të përqendruarit në ecurinë tonë. Patëm vështirësi dhe ditëm të jemi gati sa herë na kërkohej një reagim apo diçka më tepër. Nëse nuk do të kishim fituar në njërën nga ndeshjet mes Veronës, Fiorentinës apo Atalantës jam i bindur se nuk do të kishim arritur të shpalleshim kampionë.
Po, por mund të ishit penguar edhe ndaj Sasuolos?
Me atë kornizë publiku, e gjitha kuqezi, mundësitë që të mos shpalleshin kampionë ishin vërtetë të pakta.
Vërtetë goli i Teos ishte më i bukuri i sezonit? Për nga rëndësia dhe mënyra them se po. Mendoj se është nga ata gola që vetëm një lojtar si Teo mund t’i shënojë.
Si e përjetuat titullin?
Më besoni kur ju them se nuk mbaj mend që të kem festuar ndonjëherë kaq shumë një trofe. Mbase ndikoi fakti që nuk kishim fituar asgjë prej 11 vitesh.
Do të tentoni të festoni përsëri pas 11 muajve?
E nisim si kampionë në fuqi dhe do të kemi presion mbi vete. Konfirmimi në sukses është më i vështirë sesa arritja e tij. Për më tepër që do të duhet të bëjmë më mirë edhe në Champions. Rritja nuk duhet të ndalet.
Arena e Lajmit

Loading…