14 milionë eurot që do të dredhen në llogari të Empolit, nuk janë pak për një futbollist që sapo ka mbushur 20 vjeç dhe Interi e ka treguar në mënyrën më të mirë të gjithë besimin që ka te Kristjan Asllani. Mesfushori, që tërhoqi vëmendjen sidomos gjatë pjesës së dytë të sezonit, bindi zikaltrit për të bërë një investim të tillë, diçka që jo shumë e kanë arritur në këtë moshë.
Nga shqyrtimi i vlerave të të gjitha operacioneve të kryera për futbollistët deri në moshën 20-vjeçare nga Interi, rezulton se emrat që lë pas në atë klasifikim Kristjan Asllani nuk janë të çfarëdoshëm, por ata që kanë shkruar faqe të rëndësishme të historisë zikaltër. Mauro Ikardi, ish-kapiteni argjentinas, dhe “Perandori” Adriano u kanë kushtuar më pak financave të zikaltërve me përkatësisht 13 dhe 13.2 milionë euro. Elbasanasi ndan me Sebastian Frein vendin e 7-të dhe të 8-të, pasi për të dy janë paguar 14 milionë euro. E duke iu afruar podiumit, në vendin e 6-të ndodhet Robi Kin, për të cilin janë shpenzuar 19.5 milionë euro për t’ia rrëmbyer Koventrit, ndërkohë që Nikola Ventola mban vendin e 5-të.
Transferimi i Lautaro Martinezit që ka kushtuar 25 milionë euro është parakaluar vetëm nga 3 emra të tjerë. “Medaljen e bronztë” e meriton mbërritja e Ronaldo “Fenomenit” nga Barcelona për 26.5 milionë, atë të argjendtë Gabriel Barbosa me 29.5 milionë, ndërkohë që transferimi më i kushtueshëm poshtë moshës 20- vjeçare mban emrin e Alesandro Bastonit, që u transferua nga Atalanta për 31.1 milionë euro.
LISTA E PLOTË:
Arena e Lajmit

Loading…