Lulja Gojë-Ujku dhe ngjyrat e larmishme të saj zbukurojnë oborre e lulishte të shumta në vendin tonë.
Kjo lule rritet gjërësisht në zonat shkëmbore të Evropës.
Në vendin tonë ajo njihet si gojë-ujk ndërsa në vendet e tjera njihet si lule dragoi, lule-luani, ose lule gojë-qeni, për shkak të formës së petaleve të kësaj luleje të veçantë me emrin botanik Antirrhinums.
Në fakt, ishin Romakët e lashtë ata që e shpërndanë këtë lule në mbarë Evropën dhe në të gjithë perandorinë.
Ata i dhanë lules emrin ‘leonis ora’ që përkthehet ‘goja e luanit.’
Simbolika e kësaj luleje është forca por edhe dinakëria.
Lule gojë-ujku nuk vlerësohet vetëm për bukurinë dhe ngjyrat e saj.
Farat e kësaj luleje prodhojnë një vaj botanik që përdoret kundër enjtjeve në trup.
Gjethet dhe petalet e kësaj luleje përdoren edhe në mjekësinë popullore.
Ato thahen dhe përdoren në pomada të fuqishme kundër inflamacionit.
Për shumë vite, kjo lule është përdorur në disa pomada të mira për shërimin e plagëve.
Gjethet dhe petalet e lules kanë aftësi shtrënguese të poreve dhe luftojnë inflamacionin në zonën e lënduar të lëkurës.
Në pikat e shitjes së bimëve medicinale mund të gjeni solucione të përgatitura me lule gojë-ujku.
Kjo lule përdoret edhe kundër të djegurave në lëkurë.
Aplikimi i pomadës në zonën e lëkurës që ka pësuar të djegura, ofron qetësim nga dhimbjet.
Kjo është arsyeja përse lule gojë ujku rekomandohet edhe kundër të djegurës nga dielli.
Lule gojë ujku përdoret për largimin e toksinave dhe helmeve nga gjaku dhe për uljen e tensionit të gjakut.
Me lulet dhe gjethet e thara të lule gojë-ujkut mund të bëni një çaj si të gjithë çajrat e tjerë bimorë.
Bima në fjalë përdoret edhe në trajtimin e infeksioneve urinare.
Përdoreni çajin e lule gojë-ujkut pas konsultimit me mjekun tuaj.
Një përdorim tjetër i kësaj luleje është ai i uljes së temperaturës së trupit.
Çaji dhe lëngjet me bazë luleje gojë-ujku rekomandohen për uljen e temperaturës.
AgroWeb.org ju rekomandon të konsultoheni me mjekun tuaj përpara përdorimit të çajit me lule gojë-ujku./AgroWeb.org