Në Itali, më së shumti në vendet ku bëhet tifozllëk për Juventusin, njihet si ai që ka “një kosh plehrash në vend të zemrës” (fjalët me të cilat e etiketoi Xhanluixhi Bufon).

Majkëll Oliver do të mbetet përjetë një imazh i keq i tifozëve bardhezi, si rrjedhojë e asaj penalltie të akorduar për Realin e Madridit 4 vite më parë, teksa Juventusi po fitonte 3-0 në “Santiago Bernabeu” dhe i eliminoi.
Madje, pas atij episodi ai është kërcënuar për disa muaj me radhë me jetë, por edhe pse mund të ketë gabuar në atë rast apo jo, ai nuk hezitoi në asnjë moment që të ndryshonte vendimin, ndonëse për atë ndeshje nuk kërkon që të flasë më.
Gjithsesi, kur i kërkohet që të tregojë se si shihet futbolli nga ana e personit me bilbil në gojë, ai nuk nguron, madje tregon se ai është një tifoz i çmendur i ngjyrave bardhezi:
“Të qenit arbitër, ke një botë të tërë kundër. Funksionon kështu, por pikërisht si dikush që duhet të gjykojë dhe pavarësisht ofendimeve e kërcënimeve të ndryshme nga tifozët, duhet t’i kapësh gjërat gjithmonë me pinca, pasi brenda vetes e di shumë mirë se tifozi kërkon gjithmonë të shohë skuadrën e tij që të fitojë.
Dhe nëse kjo nuk ndodh, nuk është asnjëherë faji i skuadrës, pasi justifikime për humbjen mund të gjesh me tonelata”. Dhe shpesh justifikimi është… arbitri. Oliver këtë e di, e kupton, sepse fundja edhe ai është një tifoz dhe i zjarrtë madje. Sikur të mos mjaftonte kjo, ekipi ka edhe ngjyrat e Juventusit.
“Çdo vendim që merret kundër Njukasëllit, për mua është një vendim i gabuar. Nuk mund ta fsheh këtë dhe tërbohem, ndonëse këtë tifozllëk unë e paguaj, pasi nëse Njukasëlli është në luftë për të shkuar në kupat e Europës apo edhe kur lufton për mbijetesë, unë jo vetëm që nuk mund të arbitroj ata, por as rivalet me të cilat ka interes direkt. Gjithsesi, kështu mund ta bëj më mirë, ashtu siç duhet, rolin e tifozit të Njukasëllit”.
Nëse Bufon e ofendoi rëndë në atë mbrëmje madrilene, Majkëll Oliver pranon se disa prej futbollistëve i ka miq, shokë, por edhe i simpatizon, ndaj ka respekt: “Nëse më ndodh të arbitroj Totenhemin, nuk mund t’i drejtohem Kejnit me, ‘ej ti numri 10’, pasi njihemi prej shumë vitesh. E quaj Herri dhe ai gjithashtu më thërret me emër, ‘Majkëll’.
Por kjo nuk do të thotë se miqësia më jep ndonjë nënshtrim psikologjik, madje as ndaj lojtarëve më të mëdhenj në botë. Kur gjykon, kur sheh një faull, as që e ëndërron të kesh kohën dhe të mendosh:
‘Eh, nuk do të vërshëllej, pasi këtë faull e shkaktoi De Bryjne apo Meguajer’, – vazhdon “bilbili” britanik, i cili lidhur me VAR-in, duket më shumë se pro. – Mendoj se teknologjia po e ndihmon futbollin dhe ne arbitrat, pasi kështu realisht po marrim më pak sharje e kërcënime nga ana e tifozëve.
Edhe pse në shumicën e rasteve marrim vendime të drejta, edhe kur jemi në mëdyshje apo gabojmë, ekziston mundësia që të korrigjohemi.
Madje, edhe në momentin kur shkojmë tek ekrani, futbollistët e pranojnë me më qetësi vendimin, pasi e dinë tashmë se kanë qenë edhe dy vetë të tjerë në qetësi të plotë që e kanë riparë me kujdes momentin dhe pranojnë vendimin”. E kush e di çfarë do të kishte vendosur VAR-i atë mbrëmje në “Santiago Bernabeu”, për Juventusin…
Arena e Lajmit
Loading…
Loading…
and then