
Policia e Tiranës njoftoi dy ditë më parë arrestimin Gentian Malindit, i cili ishte në kërkim për 137 kg kokainë gjatë operacionit të zhvilluar në 2019 në Durrës.
Policia sqaroi se 46-vjeçari u lokalizua në në afërsi të Urës së Gjolës dhe se gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i gjetën 1050 euro, 11.500 lekë të rinj, 3 aparate celulare dhe dy mjete identifikimi të dyshuara të falsifikuara, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin me të cilin qarkullonte 46-vjeçari.
Mbi ngjarjen ka reaguar sot babai i 46-vjeccarit Ilir Malindi, i cili njëkohësisht është avokati i tij, i cili tha se Gentian Malindi, ndodhej në Shqipëri gjatë kohës që kërkohej nga autoritetet, i akuzuar si pjesëtar i një grupi të strukturuar kriminal.
Por avokati u shpreh se dokumentet që ai mbante ishin të rregullta.
“Djali ka qëndruar në Shqipëri gjatë kësaj periudhë, dokumentet janë të rregullta, jo të falsifikuara. Se si janë nxjerrë është procedurë tjetër, e di më mirë Rama se çfarë bëjnë shërbimet informative”, u shpreh ai.
Ilir Malindi ka sqaruar gjithashtu se i biri kaedhe shtetësi kosovare, por me emër tjetër.
“Dokumentet këtu nuk i ka përdorur, kanë dalë nga institucionet shtetërore kosovare, si kanë dalë është tjetër problem. 137 kg mund t’i ketë trajtuar vetë kryeministri ose ministri i Brendshëm, ose drejtori i Policisë, se në dosjen e Edvin Kondilit nuk ka një gramë, absolutisht, është fantazi”, tha ai.
Arena e Lajmit