Paris SG-ja ka shkarkuar të martën ish-trajnerin e vet Mauricio Poçetino dhe menjëherë pa u mbyllur dita ka zyrtarizuar teknikun e ri Kristof Galtie. Francezi ka firmosur një kontratë deri në vitin 2024 me klubin kampion në Francë. Dhe menjëherë ka shpalosur objektivin real të klubit: “Duhet të fitojmë Ligën e Kampioneve”.
E njëjta frazë si dhe e shtatë trajnerëve të tjerë të Paris SGsë që i kanë paraprirë atij. Largimet e trajnerëve nga presidenti Al Khelaifi u kanë kushtuar miliona të shumtë financave të klubit. Vetëm katër largimet e fundit, mes të cilave dhe ai i Poçetinos, i kanë kushtuar 40 milionë euro Paris SG-së. Nga të gjithë trajnerët që kanë drejtuar Parisin që kur Al Khelaifi mori komandën e klubit francez, vetëm Unai Emeri ka arritur të largohet duke mbyllur kontratën në bazë të marrëveshjes.
Ai nuk rinovoi dhe zgjodhi të kalonte në Premier Ligë për t’iu bashkuar Arsenalit. Spanjolli ka qenë një rast përjashtimor, sepse asnjë trajner tjetër nuk ka pasur fatin të mbyllë aventurën me klubin francez. Poçetinos i mbetej dhe një tjetër sezon deri në përfundimin e kontratës me klubin e tij, por Parisi zgjodhi ta largonte me kosto 10 milionë euro.
TUHEL, BLANK…
Para argjentinasit ishte Tomas Tuhel që largohej pa përmbushur detyrimin e tij. Përplasjet e tij me tashmë ish-drejtorin e PSG-së, Leonardo, çuan në largimin e gjermanit nga klubi. Por Parisi u detyrua t’i paguante 7 milionë euro për prishje të njëanshme të kontratës. Pas largimit ai shkoi te Çelsi për të udhëhequr klubin londinez drejt fitimit të Ligës së Kampioneve.
Në listën e trajnerëve të “ekzekutuar” në Paris është dhe Lorent Blank. Klubi parisien u detyrua t’i paguante plot 20 milionë euro Blankut për ta larguar nga drejtimi i skuadrës edhe pse ai sapo kishte rinovuar me klubin. Pa dyshim, PSG është në kërkim të një trajneri që do ta udhëheqë drejt Champions-it të parë, qoftë dhe me kosto të tilla.
Arena e Lajmit

Loading…
Loading…