Me pjesëmarrjen në “Oran 2022”, Shqipëria ka mbyllur konkurrimin e saj të dhjetë në historinë e Lojërave Mesdhetare. Kuqezinjtë regjistruan 4 medalje në Algjeri, 2 ari me Luiza Gegën dhe Zelimkhan Abakarovin, 1 argjendi me Erkand Qerimajn dhe 1 bronzi me Islam Dudaevin, duke e dërguar në total në 49 numrin e medaljeve mesdhetare. Por le të ndalemi në historikun e Shqipërisë në Mesdhetare.
Prezenca e parë e Kombëtares kuqezi në Mesdhetare daton në vitin 1987 në Latakia. Lojërat e zhvilluara në Siri konsiderohen si nga më të suksesshmet për Shqipërinë, që në atë aktivitet regjistroi 3 medalje ari, 1 argjendi dhe 4 bronzi, teksa përfaqësohej nga një skuadër prej 33 sportistësh.
Më pas, në pjesëmarrjen e dytë në vitin 1991 në Athinë, Shqipëria e përbërë nga 146 sportistë, do të fitonte 4 medalje argjendi dhe 4 bronzi.
Ndalesa e tretë në Lojërat Mesdhetare ishte në Languedoc-Rousillon të Francës në vitin 1993, lojëra ku Shqipëria u paraqit me numrin më të ulët të sportistëve (vetëm 21), ndërsa fitoi vetëm 2 medalje argjendi.
Më pas në Bari, në vitin e mbrapshtë 1997, kuqezinjtë shkonin me 108 sportistë, për t’u kthyer me 1 medalje argjendi dhe 1 bronzi.
Në vitin 2001 në Tunizi, Shqipëria u paraqit me 42 sportistë, ndërsa mundi të fitonte vetëm 3 medalje të bronzta.
Në Almeria 2005, Kombëtarja jonë shkoi me 58 sportistë, duke marrë në atë event 2 medalje argjendi dhe 4 bronzi.
Më tej, në 2009-ën ishte radha për të matur forcat në Peskara, me Shqipërinë që regjistroi 2 ari dhe 4 argjendi, teksa prezantohej me 151 sportistë.
Në 2013-ën Mesdhetaret u zhvendosën në Turqi, event ku Kombëtarja kuqezi bëri një paraqitje shumë të mirë, duke koleksionuar edhe numrin më të lartë të medaljeve, 10 gjithsej.
Kështu në Mersin, Shqipëria mori 3 medalje ari, 2 argjendi dhe 5 bronzi, në një aktivitet ku udhëtoi me 75 sportistë.
Lojërat e parafundit u mbajtën në Tarragona verën e 2018-ës, teksa asokohe përfaqësuesja jonë fitonte 1 medalje ari dhe 1 argjendi, ndërsa udhëtonte në Spanjë me 59 sportistë.
E së fundmi gjithçka mbyllet me pjesëmarrjen në Oran të Algjerisë, event ku Shqipëria u paraqit me një numër më të ulët sportistësh, vetëm 29 dhe pa sporte ekipore. Ndalesa e radhës do të jetë në Taranto të Italisë në vitin 2026, aty ku do të mbahet edicioni i 20- të i Lojërave Mesdhetare.
Arena e Lajmit

Loading…
Loading…