Teksa mendon futbollin spanjoll, gjithnjë mend ja të shkon te argëtimi, virtuoziteti e me radhë. Por Reali i Madridit ka habitur të gjithë në sezonin e kaluar edhe me përgatitjen e jashtëzakonshme fizike. Trajneri Ançeloti nuk ka qenë një ithtar i rrotacioneve të shumta. Ai u ka besuar gati verbërisht 13-14 lojtarëve, ndërsa të tjerët kanë qenë në plan të dytë. E kur mendon një sezon të gjatë e sfilitës, merr akoma më shumë kuptim përgatitja e shkëlqyer e madrilenëve.
Në këtë motor fantastik të Realit të Madridit ndihet dora e një eksperti italian, një nga përgatitësit atletikë më të mirë në botë, profesor Antonio Pintus. Pintus, i cili në shtator do të mbushë 60 vjeç është një nga çelësat e suksesit të Realit.
Në CV-në e tij shënohen katër diploma, një doktoratë në kërkim, teksa si përgatitës atletik numëron 3 Champions të fituar me Zinedin Zidanin dhe Karlo Ançelotin. Të gjithë trajnerët më të mirë që nga Lipi, Viali, Zola, Deshamp, Konte, Kapelo Zidan e Ançeloti e kanë dashur në skuadrat e tyre, sepse ata e kanë të qartë për kë po flasin. Skuadrat e përgatitura prej tij nuk ecin, por vrapojnë si të çmendur.
Cili është sekreti juaj profesor?
Gjithnjë kam studiuar dhe punuar shumë. Gjithçka nis nga testet fizike, çdo sportist është i ndryshëm në çdo drejtim, në shpejtësi, forcë, fuqi dhe përshpejtim. Puna bazohet mbi parime shkencore me disa modifikime momentale. Madje, shumë herë puna është e personalizuar.
Çfarë ekipi është ky Real që shohim?
Ky është një Real i bindur, një Real i bashkuar në dhomat e zhveshjes, një Real që i përgjigjet ngarkesës përtej të zakonshmeve cilësi të shkëlqyera mentale dhe teknike. Këtyre u shtohet dhe Karlo Ançeloti, një trajner i jashtëzakonshëm.
Është e vërtetë se i keni vënë lojtarët e Realit të vrapojnë me maska? Dukeshin si maska kundërgaz…
Ai ishte një test për të matur potencën aerobike: zakonisht bëhet në laborator, por ne kemi vendosur ta bëjmë në fushë.
Ju dukeni si një djall me fytyrë engjëlli… për lojtarët
Unë vrapoj së bashku me skuadrën, bëj të gjitha ushtrimet që bëjnë dhe ata. Përpiqem t’i shtyj deri në limite e kështu bëj dhe me veten time. Kjo vlen sidomos gjatë përgatitjeve verore para nisjes së sezonit. I kam vënë lojtarët në pozitë. Ata mendojnë nëse vrapon ky 60- vjeçar edhe ata mund ta bëjnë pa problem. Unë jam mësuar të vrapoj, kam një jetë të tërë që e bëj…
Më mirë stërvitja me top apo pa top?
Nëse pyet djemtë, ata duan të kenë gjithnjë topin nëpër këmbë, por e kanë të qartë rëndësinë e alternimit të metodave. Ka më shumë se 15 vjet që ka nisur gërshetimi i përgatitjes teknike e fizike, ushtrime me e pa top.
Përse ky Real “plakush” vrapon kaq shumë?
Verën e kaluar kemi zhvilluar disa turne ndërkontinentalë dhe më pas jemi stërvitur për afro një muaj në të nxehtin përvëlues në Madrid. Këtu del përgjigjja.
Me ju, Konte fitoi titullin me Interin…
Pandemia na mundësoi një periudhë të gjatë pa aktivitet, ku punuam shumë pa top. Me rinisjen e kampionatit skuadra u përgjigj në mënyrë të shkëlqyer, pavarësisht pushimit mjaft të shkurtër pas finales së Ligës së Europës.
Thuhet se Pintus është një nga sekretet e rinisë së përjetshme të Kristiano Ronaldos. Sa qëndron kjo?
Ai është një atlet i lindur, një fenomen i natyrës, por që e kultivon këtë dhuratë me sakrificë dhe me punë në kufijtë ekstremë. Këto janë cilësi që përputhen edhe me filozofinë time profesionale, një stimul i rëndësishëm për mua.
Çfarë lojtari është Benzema?
Ngjan me Kristianon. Është përmirësuar ndjeshëm në çdo drejtim. Punon shumë në stërvitje, por aplikon edhe trajtime fizioterapie suplementare në shtëpi. Është një lojtar sakrifice, por që di të kultivojë dhe miqësinë.
Sa i rëndësishëm ka qenë Juventusi në rrugëtimin tuaj?
Shumë, Juventusi ishte eksperienca ime e parë. Atje kam mësuar gjithçka, mbi të gjitha rregullat e të punuarit pa krijuar konfuzion.
Sa kanë ndryshuar futbollistët e sotëm?
Sot kanë praktikisht çdo gjë në shtëpi, palestrën mbi të gjitha. Sot ata stërviten edhe vetë. Janë shumë më të përgatitur se vite më parë. Megjithatë, në fund të ditës mbeten fëmijë dhe me ta duhet dashuri.
Përgatiti: LEDJO SEFERKOLLI – Arena e Lajmit

Loading…
Loading…