Deni Drinkuoter mendohej se do të ishte shtylla e mesfushës së Çelsit dhe Anglisë për shumë vite me radhë, por transferimi i tij nga Leister te londinezët në vitin 2017, u kthye në një nga dështimet më të mëdha për të dy palët. Lojtari i ka dhënë fund këtë verë kontratës së tij me Çelsin pas 5 viteve të cilat ai vetë i ka përshkruar si një makth i mirëfilltë.
Fillimisht kishte ardhur dëmtimi që e la jashtë fushave të lojës, e më pas një trajner si Mauricio Sarri që nuk e dëshironte. “Në orën e fundit para mbylljes së merkatos së verës, në mënyrë të papritur më thërrasin në zyrë. ‘Nuk mendoj se do të jesh në planet tona’. Këto fjalë i tha Sarri nëpërmjet përkthimit të Xhanfranko Zola dhe unë mbeta i shtangur. “Pse po ma thoni këtë vetëm tani, më duhet kohë. Dhe ai përgjigjet ‘Jo, jo, ne kemi klube jashtë me të cilat mund të flasësh’. Reagimi im ishte “jo, kam djalin tim të vogël. Ai është prioriteti im’, ndaj vendosa të qëndroja deri në janar”, shpjegon për “Sky Sports” futbollisti i cili shkëlqeu në radhët e Leisterit në vitin historik ku fitoi titullin kampion në Premier Ligë.
Mosaktivizimi me Çelsin solli probleme të njëpasnjëshme, siç tregoi lojtari. “Kur e kupton që nuk përfshihesh në ndeshje, vetëm stërvitje, atëherë mund të dalësh me shokët. Unë isha beqar, gjithçka ishte në rregull, mund ta bëja këtë. Unë e adhuroja atë jetë, por në sfond kishte gjithmonë gjëra që digjeshin. Mendoja se mund të menaxhoja këtë situatë, por vuajta probleme mendore në vitin 2019. Gjyshja më vdiq, gjyshi më vdiq, babai u diagnostikua me leucemi dhe më ngordhi qeni. Fillova edhe të pija alkool në timon dhe ky tip nuk jam unë. Bëra një gabim të madh”, tha Drinkuoter i cili pranoi se të gjitha këto situata kishin ndikuar në jetën e tij brenda dhe jashtë fushës së lojës.
Arena e Lajmit

Loading…
Loading…