Eqerem Memushi kërkon një Flamurtar totalisht ndryshe. Grupi që mbylli sezonin, nuk e bind dhe kjo nuk është më një risi. E ka thënë dhe stërthënë, se ishin ata lojtarët që e rrëzuan ekipin në Kategorinë e Dytë. E megjithatë, as afrimet e bëra deri më tani s’po e ngrohin. Nga 3 përforcimet, nuk sheh asnjë cilësor. Gjatë një interviste të dhënë enkas për “Panorama Sport”, ish-trajneri prek gjithçka dhe përgjigjet siç di ai: pa filtra. Ndalet edhe te rikonfirmimi i Dritan Resulit, ndërsa thotë se duhet të provojë nëse do të hyjë në elitën e trajnerëve apo do të mbetet në këtë nivel. Në fund jep edhe një koment për situatën e Orikut dhe ndërhyrjet që kanë bërë kohët e fundit.

Memushi, si po e shihni Flamurtarin deri tani?
Dua të them se deri tani nuk kemi ndonjë afrim cilësor në skuadër. Nuk po shohim ende një ekip kompetitiv që të ndeshet dhëmbë për dhëmbë me Dinamon, Skënderbeu apo edhe me Besën, që po fuqizohet me ambiciet e presidentit Bizhdili. Jam pesimist të paktën për momentin, nga çfarë shohim.
Flamurtari ruajti grupin e skuadrës, ju në fakt ishit kundër, mendoni të njëjtën gjë edhe tani?
Nuk është ky problem, mund ta ruajë grupin, por duhet të kenë parasysh se kategoria nga kategoria ndryshon shumë. Tashmë duhet t’i përshtaten kësaj lige, t’i shërbejnë dhe vitin e ardhshëm të shikojnë. Në fakt, lojtarët e këtij grupi i kemi parë në Superiore. Ata ishin që e morën Flamurtarin nga Superiorja dhe e zbritën në Kategorinë e Parë. Dhe pastaj, më keq akoma, e çuan në Kategorinë e Dytë. Varet nga mielli cilësia e brumit…
Thatë që nuk është bërë asnjë afrim cilësor. Nuk ju bind askush nga 3 lojtarët e zyrtarizuar?
Ata e njohin Kategorinë e Parë, por nuk kanë fituar, apo nuk kanë marrë pjesë në skuadra që janë ngjitur më lart. Veçoj vetëm Nezirin këtu. Por nuk e di cili është problemi i tij që nga Superiorja shkon në Kategorinë e Parë, megjithatë i uroj suksese.
Është rikonfirmuar trajneri Resuli. Keni një koment?
I uroj suksese dhe të marrë përgjegjësitë. Në fund janë zgjedhjet e presidentit këto. Resuli ka tani provën gjenerale, do të hyjë në elitën e trajnerëve apo do të mbetet në atë nivel ku është. Kjo është sfida e tij.
Do të jetë Flamurtari në vitin 2023 në Superiore?
Unë nuk e di ende këtë gjë. Por i uroj me shpirt suksese, pasi tifozëve u mungon Flamurtari dhe na mungojnë ekipet e elitës.
Oriku ka ndryshuar trajnerë dhe lojtarë. Keni një koment?
Gara ndryshon për të gjithë. Oriku është një nga skuadrat që do ta ketë të vështirë garën, pasi do të jetë përballë emrave të mëdhenj. Por gjithçka do të varet nga serioziteti.
Çfarë nënkuptoni me këtë?
Nuk e kam te presidenca, pasi presidenti Muharrem Jazaj është serioz, korrekt dhe e dashuron futbollin, por e kam te grupi i skuadrës. A i kanë kualitetet që të ndeshen dhëmbë për dhëmbë me rivalët? Kjo është çështja.
– Arena e Lajmit
Loading…
Loading…
and then